Kancelari Olaf Scholz shprehu gatishmërinë për furnizime të mëtejshme armësh në Ukrainë. “Çdo gjë që është e arsyeshme dhe ka efekt të shpejtë do të furnizohet”, deklaroi Scholz në Bundestag në Berlin. Sa u përket furnizimeve me armë, qeveria e tij do të bëjë “gjithçka që është e drejtë dhe e arsyeshme”. Furnizimet duhet t’i shërbejnë qëllimit të qeverisë “që Rusia të mos e fitojë këtë luftë”. Ky është qëllimi “i aktiviteteve, që ndërmarrim ne, kur është fjala për furnizimet me armë”, tha kancelari gjatë një seance me pyetje ndaj qeverisë në Bundestag (6.04).
Armët gjermane ndërkohë kanë dhënë “një kontribut të ndjeshëm” në luftime në Ukrainë”. Si shembull Scholz përmendi tanket e furnizuara nga Gjermania, sistemet e mbrojtjes nga raketat dhe municionet. Për furnizime të mëtejshme ndërkohë po negociohet me Ukrainën, tha Scholz. Lidhur me këto furnizime do të shqyrtohen jo vetëm pajisjet nga arsenali i Bundeswehr-it, por edhe sisteme, që mund të blihen të reja në tregun e armatimeve.
Ministrja e Mbrojtjes, Christine Lambrecht, në seancën plenare në Bundestag, shtoi lidhur me ngjarjet në Butsha, se qeveria nuk mund të flasë hapur për llojin dhe numrin e armëve që do të dërgohen, sepse këtë e ka kërkuar Ukraina. Nga këndvështrimi ushtarak synohet, që Rusia të mos jenë në dijeni për tipin e armëve dhe sasinë që do të vihen në dispozicion, në mënyrë që të mos ketë mundësi të përgatitet konform.
Dëshmi për krime lufte në Butsha
Qeveria gjermane, sipas të dhënave të saj, ka dëshmi që kemi të bëjmë me krime lufte me vrasjet e civilëve në Butsha në afërsi të kryeqytetit ukrainas, Kievit. Për këtë ekzistojnë fotografi satelitore, që janë marrë në muajin mars në këtë qytet, tha zëdhënësi i qeverisë në një konferencë shtypi, Steffen Hebestreit. Gjithashtu ka dëshmi të besueshme, që provojnë se forcat luftarake dhe të sigurisë ruse kanë qenë të mobilizuara në këtë zonë. “Vrasjet e qëllimshme dhe njësitë e forcave ruse të armatosura dhe të sigurisë në zonë janë kësisoj një dëshmi, që presidenti dhe komandanti suprem Putin për arritjen e qëllimeve të tij ka pranuar shkeljet e të drejtave të njeriut.” /DW/