Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se Evropa ka dëshmuar se është e fortë kur të gjitha vendet janë bashkë dhe mbështesin njëra-tjetrën.
Në një fjalim në Parlamentin Federal, Scholz vuri në dukje se Gjermania në 8 muajt e fundit duke rregulluar sërish furnizimin e saj të energjisë është bërë e pavarur nga gazi dhe nafta ruse, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Ai tërhoqi vëmendjen se Gjermania ka kursyer nga gazi dhe në vitin 2022 ka konsumuar 18 për qind më pak në krahasim me një vit më parë dhe se çmimet e gazit kanë rënë nën nivelin e periudhës para luftës Rusi-Ukrainë.
“Tani është shumë e rëndësishme të ndërtohet një infrastrukturë e re e fuqishme energjetike, sepse Evropa ka dëshmuar se është e fortë kur jemi bashkë dhe kur mbështesim njëri-tjetrin”, deklaroi Scholz.
Duke bërë të ditur se çështja e energjisë do të diskutohet në mënyrë gjithëpërfshirëse në Samitin e Liderëve të Bashkimit Evropian (BE) që do të mbahet më Bruksel më 23-24 mars, Scholz shtoi se Evropën do ta përgatisin së bashku jo vetëm për dimrin e ardhshëm por vitet e ardhshme.
– Do të merren vendime për sigurimin e municioneve për Ukrainën
Kancelari Scholz foli për luftën Rusi-Ukrainë ku përsëriti se Ukrainën do ta mbështesin për aq kohë sa të jetë e nevojshme në luftën e saj për liri dhe integritetin territorial.
Ai theksoi se kryesisht është i rëndësishëm furnizimi në mënyrë të shpejtë i Ukrainës me municionet e nevojshme. Scholz tha se në Samitin e Liderëve të BE-së do të merren vendime për marrjen e masave të tjera për të siguruar më mirë dhe në mënyrë të vazhdueshme municione për Ukrainën.
“Së fundmi kundër Rusisë u miratua paketa e 10-të e sanksioneve”, rikujtoi Scholz duke shpjeguar se do të vazhdojnë presionin e sanksioneve ndaj Rusisë dhe se do të kenë kujdes që vendet e treta të mos kapërcejnë këto sanksione.
– Aftësia konkurruese e BE-së
Pasi potencoi se në Samitin e Liderëve të BE-së do të diskutojnë edhe çështjen e aftësisë konkurruese të BE-së, Scholz tha se aftësia konkurruese e BE-së është e rëndësishme për suksesin ekonomik dhe për të qenë aktor gjeopolitik në të ardhmen.
Ai theksoi se Gjermania mund të ketë ekonomi konkurruese afatgjate vetëm kur Evropa është e fortë si një e tërë./FolDrejt/