Që nga nisja e sulmit ushtarak të Rusisë mbi Ukrainë, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka mbajtur disa fjalime në parlamentin shtetëror gjerman “Bundestag”.
Në këto paraqitje, disa prej të cilave nga opinioni në Berlin po konsiderohen “historike”, kryeministri nuk e lë pa e përmendur në detaje Ballkanin Perëndimor.
“Tash e tutje ai që në mënyrë strategjike e sheh hartën e Evropës, duhet të bëjë gjithçka që e është e mundur t’i përkrahë shtetet e Ballkanit Perëndimor që sa më shpejt që të jetë e mundur, të hyjnë në Bashkim Evropian (BE)”, theksoi Scholz pranë Bundestagut të mërkurën e javës së kaluar.
Në krye të temave për kancelarin perëndimi i Ballkanit ishte edhe të hënën pasdite, kur takoi në Berlin kryeministren e Suedisë, Magdalena Andersson.
“Është koha që sa më shpejt të hapen negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë e Maqedonisë për në BE. Çdo vonesë e mëtutjeshme e bën Ballkanin Perëndimor edhe më të prekshëm ndaj ndikimit të palëve të treta”.
Ndryshe koalicioni qeverisës në Gjermani, i ardhur në pushtet para katër muajsh, në planprogramin e tij e ka mes tjerash realizimin e liberalizimit të vizave për kosovarët dhe përmbylljen e dialogut Kosovë –Serbi.