Kancelari gjerman Olaf Scholz akuzoi presidentin rus Vladimir Putin se ka ambicie “imperialiste” dhe tha se ai nuk po tregon “asnjë shenjë” se do të ndryshojë kursin e tij në Ukrainë.
“A është Putin gati të respektojë parimet ndërkombëtare dhe të negociojë një paqe të drejtë? Për momentin nuk ka asnjë shenjë që kjo të ndodhë”, tha Scholz në fjalimin e tij në parlament, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
“Në vend të kësaj, Putini po na kërcënon me lëvizje të ndryshme, më së fundi duke thënë se ai po pezullon traktatin bërthamor New START me SHBA-në”, tha kancelari gjerman.
Ai hodhi poshtë kritikat se qeveria e tij po nxit tensionet duke furnizuar Ukrainën me armë të rënda dhe duke mos marrë asnjë nismë diplomatike për paqe me Rusinë.
“Qëllimet e Putinit janë të qarta. Ai dëshiron të aneksojë pjesë të Ukrainës dhe dëshiron të shkatërrojë këtë komb”, tha Scholz, duke shtuar: “Paqja nuk do të thotë t’i nënshtrohesh pushtetit të një fqinji më të madh. Nëse Ukraina nuk do të mbrohej, nuk do të kishte paqe. Kjo do të ishte fundi i Ukrainës”.
Scholz nënvizoi se Berlini do të vazhdojë të dërgojë armë në Ukrainë në mënyrë që ukrainasit të mund të mbrojnë sovranitetin dhe integritetin e tyre territorial.
Ai tha gjithashtu se u takon vetëm ukrainasve të vendosin kushtet për përfundimin e mundshëm të luftës.
“Një paqe e diktuar kundër vullnetit të viktimave është diçka që ne nuk mund ta pranojmë, jo vetëm për arsye morale, por edhe nëse duam të garantojmë sigurinë e vendit tonë dhe Evropës”, tha Scholz.
“Çfarë sinjali të tmerrshëm do të dërgonim nëse do të shpërblenim dikë që shkel ligjin ndërkombëtar dhe rendin evropian të paqes. Për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, ne duhet të sigurohemi që të respektohet ligji ndërkombëtar”, shtoi ai./FolDrejt/