Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka rrëfyer për përballjen e tij me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, gjatë takimit që e kishin në Moskë më 15 shkurt.
Nikoqiri i tha mysafirit se intervenimi i NATO-s më 1999 për të ndaluar luftën në Kosovë, ishte i gabueshëm, i pa drejtë dhe i bazuar në ligje ndërkombëtare .
Scholz, kishte shkuar te Putin për ta bindur që mos ta niste pushtimin e Ukrainës.
“Putin, gjithnjë flet për konfliktin në ish-Jugosllavi duke thënë se NATO atje ishte agresive dhe dëmtoi njerëz që nuk kanë bërë asgjë. Unë ju përgjigja duke i thënë se atje kishte gjenocid që ne e shmangëm .Ai nuk duhet ta keqkuptoj se njerëzit në Ballkanin Perëndimor janë plotësisht gati të bëhen anëtar të BE-së. Pastaj ai vazhdon të argumentoj se atje në Donbas ka diçka sikur gjenocidi. Të ju them të drejtën kjo është përnjëmend qesharake,” tha kancelari gjerman, gjatë panelit në Konferencën e Sigurisë të mbajtur në Munih të Gjermanisë.
Engjellushe Morina, anëtare e lartë për politika në programin “Ëider Europe” nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, selia Berlin , thotë se Scholz ka argumentuar saktë karshi pretendimeve ruse për paralele me luftën e vitit 1998-1999.
“Kjo ka qenë si përgjigje e propagandës së fundit që vije nga Rusia dhe presidenti i saj se po ushtrohet gjenocid në popullatën ruse ose pro-ruse në ato krahinat e kontestuara të Ukrainës gjë që nuk është e vërtetuar edhe ka shumë kundër argumente që tregojnë se kjo po bëhet si propagandë e radhës për ti justifikuar ndoshta aksionet që mund të pasojnë këto ditë të shumë për folura. Prandaj është shumë që sqarohet në mënyrë eksplicite pse intervenon NATO-ja”.
E sa për perspektivën evropiane që qeveria e re gjermane u ofron gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, Scholz tha se hyrja e tyre në BE është proces i pandalshëm .
“Nuk e kemi pa ende vizionin e kancelarit të ri se a do të vazhdoj “Procesin e Berlinit”. Deklaratat dhe retorika është në rregull por vizioni ende nuk është shpalosur . Është me rëndësi që për koalicionin qeverisë rajoni (Ballkani Perëndimor) mbetet i rëndësisë së lartë”, theksoi Morina.