Kancelari gjerman Olaf Scholz tha sot se nuk ka asnjë rrezik për bankat gjermane pas mbylljes së bankës amerikane Silicon Valley Bank (SVB), duke thënë se “nuk ka vërtet asnjë arsye për t’u shqetësuar” për këtë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Fol Drejt.
Falimentimi i SVB, i shkaktuar nga tërheqja masive e aksioneve, kujtoi krizën e madhe financiare të vitit 2008 dhe shkaktoi një nervozizëm të madh në tregjet financiare ditët e fundit.
Për Scholzin, situata nuk është e krahasueshme, sepse vendet morën “mësime” nga kriza e mëparshme.
“Janë zbatuar reforma të mëdha të institucioneve të mbikëqyrjes publike dhe menaxhimit të bankave”, tha kancelari gjerman, duke shtuar se bankat tani janë më rezistente ndaj krizave.
“Reagimi i qartë dhe i fortë nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe autoritetet evropiane, si dhe Gjermania, tregon se situata po monitorohet nga afër dhe se po ndërmerren veprime të shpejta, gjë që është më e mira që mund të bëhet për sigurinë”, tha Scholz.
Autoritetet gjermane të hënën treguan se ndikimi i falimentimit të SVB, i cili nxiti ndërhyrjen e mbikëqyrësve amerikanë të dielën për të garantuar klientët që të kenë akses në paratë e tyre të depozituara në bankën kaliforniane, nuk ishte i rëndësishëm.
Është falimentimi më i madh i një banke në ShBA që nga viti 2008.
Situata megjithatë u konsiderua mjaft serioze për të nxitur një takim në Gjermani të hënën të “bordit të krizës” të Bundesbank, banka qendrore, e cila nuk pranoi të komentojë mbi situatën.
Mbikëqyrësi financiar i Gjermanisë përjashtoi çdo kërcënim për stabilitetin financiar të Gjermanisë, duke thënë se SVB “nuk ishte i një rëndësie sistematike”. /FolDrejt/