Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka riafirmuar premtimin e tij të fushatës zgjedhore për të reformuar ligjet gjermane të shtetësisë dhe imigracionit.
Duke folur në një mbledhje në Berlin, Scholz tha se qeveria e koalicionit të udhëhequr nga social-demokratët po planifikon të modernizojë ligjet për të ndërtuar një shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe demokratike, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Sot, 9 milionë njerëz nuk kanë nënshtetësi gjermane, megjithëse prej shumë vitesh jetojnë dhe punojnë në vendin tonë. Për shembull, në sektorin e shëndetësisë, rreth një e katërta e mjekëve në Gjermani nuk kanë lindur këtu, ata kanë një sfond imigrimi. Po kështu, një e treta e infermierëve, kujdestarëve, kanë sfond imigrimi”, tha Scholz, duke shtuar se këta emigrantë kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në ekonominë dhe shoqërinë gjermane.
Kancelari gjerman tha se reformat e planifikuara do ta bëjnë më të lehtë për emigrantët që të bëhen shtetas gjermanë dhe do të rrisin integrimin dhe pjesëmarrjen politike.
Sipas tij, ai që jeton dhe punon përgjithmonë në Gjermani duhet të ketë edhe të drejtën e votës dhe zgjedhjes, “duhet të jetë pjesë e vendit tonë, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet, pavarësisht prejardhjes, ngjyrës së lëkurës apo besimit fetar”.
Scholz gjithashtu theksoi se reformat e planifikuara do t’u mundësojnë emigrantëve të kenë shtetësi të dyfishtë ose shtetësi të shumëfishtë, gjë që aktualisht nuk është e mundur për emigrantët nga vende të caktuara.
Reforma e ligjeve të shtetësisë gjermane dhe imigracionit ishte një pjesë qendrore e marrëveshjes së koalicionit midis social-demokratëve të kancelarit Scholz, të Gjelbërve dhe Demokratëve të Lirë pro-biznesit kur ata formuan qeverinë vitin e kaluar.
Si pjesë e reformave të imigracionit në Gjermani, njerëzit që kanë jetuar tashmë në vend prej disa vitesh duhet të jenë në gjendje të bëhen më lehtë shtetas gjermanë. Në vend të tetë vjetëve, siç është aktualisht, duhet të jetë e mundur të merret shtetësia pas pesë vitesh qëndrimi në Gjermani.
Në rastin e “arritjeve të veçanta të integrimit”, kjo duhet të jetë e mundur edhe pas tre vjetësh, për shembull nëse emigrantët kanë treguar arritje të veçanta akademike ose profesionale ose angazhim vullnetar ose kanë aftësi veçanërisht të mira gjuhësore.
Fëmijët e lindur në Gjermani nga prindër të huaj duhet të bëhen automatikisht gjermanë nëse njëri prind ka “qëndrimin e rregullt të ligjshëm” në Gjermani për pesë vjet. Deri më tani, kjo ka ndodhur vetëm pas tetë vjetësh./FolDrejt/