Të paktën 18 persona janë vrarë në Mianmar më 14 mars, gjatë shtypjes së protestave nga forcat e sigurisë, raportuan mediat lokale.
Sipas raportimeve, 14 protestues u vranë në periferi të Yangonut, ndërkaq tre të tjerë u vranë në qytete të tjera të Mianmarit. Që prej puçit ushtarak të 1 shkurtit, dhjetëra-mijëra qytetarë në Mianamar po kërkojnë rikthimin e qeverisë civile.
Televizioni shtetëror tha se edhe një polic është vrarë. Protestat e 14 marsit, shënojnë një nga ditët më të përgjakshme në Mianmar që prej puçit ushtarak. Videot e publikuara në mediat sociale shfaqën turmat e njerëzve duke ikur nga forcat e rendit, teksa dëgjoheshin edhe të shtëna me armë.