Të paktën gjashtë persona janë vrarë dhe nëntë janë plagosur nga sulmet ajrore ruse në rajonet Kharkiv dhe Kherson të Ukrainës sot herët, njofton AA, transmeton Fol Drejt.
“Rajoni i Kharkivit, rrethi Izium, qyteti Balaklia. Rusët nisën një sulm me raketa. Dihet që pesë persona janë plagosur”, tha në Telegram Andriy Yermak, kreu i zyrës presidenciale të Ukrainës.
Po ashtu, guvernatori i Kharkivit, Oleh Synyehubov, tha se të gjitha shërbimet e urgjencës janë në vendin e sulmit, për të cilin ai tha se goditi një parking në rajon.
Synyehubov shtoi se tre nga pesë të plagosurit kishin lëndime të rënda, ndërsa dy të tjerët lëndime të lehta.
Ndërkaq, guvernatori i Khersonit, Oleksandr Prokudin, tha në Telegram se gjashtë persona u vranë dhe katër u plagosën nga sulmet ruse gjatë ditës së kaluar.
“Gjatë ditës së kaluar, armiku kreu 51 granatime, duke gjuajtur 237 predha nga artileria e rëndë, “Grad”, tanket, dronët dhe aviacioni”, tha Prokudin.
Duke thënë se Rusia bombardoi qytetin Kherson katër herë, Prokudin deklaroi se sulmet kishin për qëllim “lagjet e banuara të zonave të populluara të rajonit”.
“27 persona u evakuuan nga territori i deokupuar i rajonit”, shtoi ai.
Në luftën Rusi-Ukrainë, tashmë në muajin e saj të 14-të, janë vrarë 8.709 civilë dhe janë plagosur 14.666, sipas shifrave të fundit të OKB-së.