Një libër i poetëve që i takojnë letërsisë Al-hamiade shqipe (periudhës së bejtexhinjve), së shpejti pritet ta shoh dritën e botimit, shkruan Fol Drejt.
Të paktën kështu ka bërë të ditur për opinionin publik, profesori Abdullah Rexhepi.
Sipas Rexhepit, botuese e librit është Akademia e Shkencave e Shqipërisë, ndërsa ai është përgatitur për botim nga Abdullah Hamiti dhe Abdullah Rexhepi.
Recensentë janë Akad. Ali Aliu, Prof. dr. Isa Memishi, Prof. ass. dr. Zekije Xhafçe.
Ai është përgatitur nga dorëshkrimi i Bibliotekës Millet në Stamboll Koleksioni i Ali Emirit.
Në vijim mund ta lexoni një pjesë të recensionit:
“Në dorë keni transkriptimin e një dorëshkrimi me poezi shqipe, i shkruar me alfabet arab. Dorëshkrimi në origjinal është i patitulluar, kurse “Poezi shqipe me alfabet arab” është emërtim i yni, si redaktorë. Ky dorëshkrim i ka gjithsej 135 faqe, pjesa më e madhe e të cilave, gjithsej 90 faqe, janë poezi të shkruara në gjuhën shqipe, kurse pjesa tjetër është me poezi në gjuhën turke dhe perse. Poezitë shqipe janë të shkruara nga pesëmbëdhjetë autorë të ndryshëm dhe, siç duket, shumica prej tyre janë nga Shqipëria e Jugut, sidomos nga qyteti i Gjirokastrës.
Në tekst lexojmë topika, koncepte, arketipe e simbolika të letërsisë, të misticizmit dhe të filozofisë islame, që janë shkruar me të gjitha format e poetikës turko-perse. Gjithashtu në disa vende përmendet emri i Shqipërisë dhe i gjuhës shqipe. Teksti gjithashtu ka dhe dokumente e dëshmi shumë të pasura gjuhësore për labërishten.
Dorëshkrimi në fjalë karakterizohet me disa poema të shkurtra dhe disa shumë të gjata për ngjarjen e Qerbelasë. Një veçori tjetër e dorëshkrimit është prania e gjerë e koncepteve dhe e filozofisë së hurufizmit.“/FolDrejt/