Federata e Xhudos e Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media ka njoftuar se, së shpejti do të fillojë Kampionati Evropian i Xhudos në Kosovë, shkruan Fol Drejt.
“Për herë të parë në histori, po vjen në Kosovë Kampionati Evropian i Xhudos me 16 dhjetor 2023, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, në Prishtinë, si ngjarja më e madhe sportive në vend! Deri në 50 shtete pjesëmarrëse me mbi 100 xhudistë/e elitarë/e do të garojnë për çmimin e madh prej 300,000€ në total në të gjitha kategoritë.
Logoja e Kampionatit Evropian është frymëzuar nga ngjyrat bardh dhe kaltër të Prishtinës, qytetit ku do të mbahet Kampionati; ilustrimit të objektit të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve ku do të mbahet Kampionati me 16 dhjetor 2023; dhe ilustrimin e përshëndetjes – “Rei” – në xhudo si një ndër elementet kryesore të xhudos që simbolizon respektin dhe mirënjohjen, kështu për të reflektuar edhe vlerën kryesore të vendit tonë – mikpritjen – dhe për të dëshmuar traditën e xhudos në Kosovë, vendin e 3 medaljeve të arta olimpike” – thuhet në komunikatë.
Po ashtu bëhet e ditur se Kampionati i Hapur Evropian i Xhudos, “European Championships Open”, organizohet në kuadër të programit shtetëror, “Kosova, shtet i xhudos” nga Federata e Xhudos e Kosovës, dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Federatës Evropiane të Xhudos./FolDrejt/