Unë kam lindur në Kosovë, ndërsa Gërvalla ka lindur në Shkup. Pra, mos më jepni mësime për historinë e Kosovës – ka thënë ministri Daçiq, duke iu drejtuar ministres së Jashtme të Kosovës, të cilës i është drejtuar si “qytetarja Gërvalla”, shkruan Danas, përcjell Fol Drejt.
Duke folur mbrëmë vonë për herë të dytë në seancën e Këshillit të Sigurimit, ai tha se pala tjetër nuk është e interesuar për dialog.
Daçiq tha se ka nënshkruar marrëveshjen e Brukselit me Hashim Thaçin dhe Catherine Ashton dhe pyeti se ku është Thaçi sot?
Pse nuk akuzohemi për diçka unë apo presidenti Vuçiq? Sepse ne nuk kemi marrë pjesë në asgjë – tha Daçiq, duke iu përgjigjur kështu akuzave të ministres kosovare se Daçiq duhet të gjykohet për krime lufte.
Mund të thuash çfarë të duash, mund të gënjesh, por duhet të kuptosh se kemi dallime sa i përket statusit të Kosovës. Ne nuk e konsiderojmë Kosovën shtet, ju po. Ju keni qasjen tuaj, ne kemi tonën. Çdo shtet e ka Kosovën e vet – tha Daçiq, duke shtuar se Kosova është Serbi.
– Ju nuk jeni dakord me këtë. A duhet të shkojmë në luftë? Prandaj kërkoj nga ju që ta përshtatni qasjen tuaj me vullnetin politik të shprehur nga të gjithë në mënyrë që dialogu të ketë sukses”, ka shtuar Daçiq, duke theksuar se Vuçiq nuk ka nënshkruar asgjë dhe se anëtarësimi i Kosovës në OKB është i papranueshëm për Serbinë.
Duke iu përgjigjur Daçiqit, ministrja e Punëve të Jashtme Gërvalla Schwarz tha se ai është pjesë e politikës së kaluar të Millosheviqit.
Zotëri Daçiq, sot treguat pse njerëzit në Serbi ju quanin “Slloba e vogël”. E kuptoj që je i zemëruar. Ju duhet t’i shpjegoni popullit tuaj se si e humbët Kosovën përgjithmonë në vitin 1999 në vend që të përdorni retorikën e viteve ’90. E di që dhemb e vërteta – tha ministrja.
Ajo tha se Kosova është shtet i pavarur dhe si e tillë po bisedon me fqinjët e saj shumë “problematikë” për normalizimin e marrëdhënieve.
“Ky nuk është një diskutim për statusin e Kosovës, sepse kjo është punë e përfunduar”, tha ministrja, duke shtuar se “ne nuk mund të zgjedhim fqinjët tanë dhe do të vazhdojmë bisedimet”. /FolDrejt/