Shkruan: SEFER TAHIRI
Një pjesë e mediave, shpesh duke u bazuar në burime jorelevante dhe të pabesueshme, prodhojnë dhe transmetojnë lajme të cilat janë të gabuara ose nuk shpërfaqin realitetin objektiv.
Shembull për këtë është raportimi për Tetovën si qytet më i keq për të jetuar në Maqedoninë e Veriut në fillim të shkurtit 2023, kur disa media publikuan këtë informatë, duke i bazuar tek një profil i rrjetit social Tik tok.
Kjo tregon se një pjesë e mediave bëhen joserioze si pasojë e përdorimit të burimeve prej rrjeteve sociale, të cilat kumtojnë të dhëna të paverifikuara.
Po të shohim, si ndodhi që disa media të shpallën Tetovën qytetin më të keq për të jetuar në Maqedoninë e Veriut? Si raportohet dhe çfarë burimesh shfrytëzojnë mediat për Tetovën tani, e si në disa vitet e kaluara, kur për këtë qytet raportohej si për një prej qyteteve më të ndotura në botë?
Tetova, më e ndotur në botë, bazohej tek burime sadopak relevante!
“Tetova, qyteti më i ndotur në botë”! Ky lajm mund të duket në shikim të parë i pabesueshëm, por është publikuar disa herë. Më 25 nëntor të vitit 2020, Tetova i printe listës së qyteteve me ajrin më të ndotur në botë, duke u bazuar tek njoftimi i faqes së njohur të internetit Numbeo.com, e cila bazohet në të dhënat e stacioneve matëse. Pas Tetovës radhiteshin Kabuli, Katmandu, Faridabad, Gazijabad dhe të tjerë.
Më herët, në 14 shkurt të vitit 2017 raportohej se Tetova është qyteti më i ndotur në Evropë, sipas të dhënave të bazuara tek Organizata Botërore e Shëndetësisë, të cilat tregojnë se në këtë qytet ka pasur rreth 81 mikrogramë të grimcave PM2.5 për një metër kub.
Në të dy rastet, mediat kanë respektuar standardet profesionale të gazetarisë, meqë lajmet i janë nënshtruar procesit të verifikimit të fakteve dhe bazohen tek burime, të cilat në masë të madhe, ndonëse jo plotësisht, janë të përshtatshme dhe të besueshme për temën apo çështjen e trajtuar, që duhet të jetë parim i punës së çdo gazetari.
Në Kodin Etik të Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut thuhet se “Gazetari ka të drejtë për qasje të lirë në të gjitha burimet e informimit, që janë me interes publik. Gazetari duhet të botojë informata të sakta dhe të provuara dhe nuk do të fshehë të dhëna esenciale dhe të falsifikojë dokumente. Nëse informata nuk mund të konfirmohet, ose nëse bëhet fjalë për supozim, respektivisht spekulim, kjo gjë duhet të thuhet dhe të publikohet. Saktësia e informatës duhet të provohet sa më shumë të jetë e mundur”.
Tetova shpallet më e ndotur bazuar në burim nga rrjeti Tik – Tok?
Këtyre ditëve, në rrjetin social Tik tok qarkullon një video, në të cilën është treguar harta me vendet e Evropës, ndërsa për çdo vend është theksuar qyteti më i keq për të jetuar.
Portali “Plusinfo” në datën 1 shkurt publikoi shkrimin me titull “Cili është qyteti më i keq në Maqedoni? Në Serbi është Beogradi, në Bullgrai Varna, ndërsa në Kroaci është Gjakovo (video)“. Ky portal shkruan se “Harta është publikuar në profilin “Map of Geography”, i cili është shikuar nga një milion njerëz, por ka shkaktuar edhe polemika, sepse disa njerëz nuk pajtohen me rezultatet. Sipas portalit, në Maqedoninë e Veriut, me arsye ose jo, qytet më i keq për të jetuar është zgjedhur Tetova.
Portali “Veçerpress” publikoi informacionin me titullin “Qytetet më të këqija në Evropë: Në listën famëkeqe edhe një qytet maqedonas“. Por, ky portal, edhe pse nuk ka shpjeguar se si është formuluar kjo listë, po ashtu nuk tregon se Tetova në shoqëri me qytetet më të këqija është gjetur për shkak të faktit se nga çdo vend është zgjedhur nga një qytet.
Jo vetëm ky portal, por edhe shumë të tjerë, nuk ka dhënë shpjegime se si është arritur deri te kjo listë, duke e lënë publikun në hamendje se pse është publikuar kjo hartë dhe a është e bazuar në fakte, apo në hamendësime.
Ndërsa portali “Sakam da kazham” publikoi shkrimin me titullin “Tetova, qytet më i keq për jetesë në Maqedoni, sipas zgjedhjes joformale në Tik tok“. Në këtë shkrim të korrespondentit të këtij portali nga Tetova, Zoran Andonov thuhet se “Duke pasur parasysh se nuk janë theksuar kriteret mbi të cilat është vlerësuar cilësia e jetës në qytete, ndërsa nuk dihet se vallë persona profesionistë e kanë bërë kategorizimin, videoja ka shkaktuar polemika të shumta në rrjetet sociale”.
Gazetari i ka pyetur qytetarët se vallë Tetova është qyteti më i keq për jetesë në Maqedoninë e Veriut dhe disa prej tyre kanë pohuar. Por edhe pse titulli i shkrimit konkludon se Tetova është qytet më i keq, një qytetar kundërshton pohimin, ndërsa komuna e Tetovës ka deklaruar se “Bëhet fjalë për informacion, që nuk e ka publikuar ndonjë organizatë relevante, e as që bëhet fjalë për ndonjë hulumtim shkencor. Ky publikim është i parëndësishëm për ne”. Pra, siç vërehet, ka mospërputhje të titullit me përmbajtjen e shkrimit.
Ndërsa portali i gazetës “Slloboden peçat” shkruan se qyteti buzë Malit Sharr, Tetova është shpallur si qytet më i keq maqedonas dhe ka pyetur lexuesit se vallë ata pajtohen me konstatimet e Tik-tok profilit “Map of Geography”.
Në mediat në gjuhën shqipe, informacionit mbi qytetet e këqija, bazuar në Tik tok nuk i është dhënë hapësirë.
Përfundime dhe rekomandime
Në manualin për Edukim mediatik: Mësojmë të njohim thuhet se “Ekzistojnë dezinformata, qëllimi i të cilave është të mashtrojnë publikun, por edhe informata të gabuara (misinformata), të cilat në përgjithësi nuk janë të gabuara qëllimisht”. Zakonisht janë rezultat i gabimeve gazetareske ose editoriale, i punës së dobët gazetareske ose thjesht rezultat i dikujt që ndan informacion të pasaktë pa iu qasur në mënyrë kritike dhe pa e vlerësuar besueshmërinë e tij.
Mediat, përveç se nuk duhet të plasojnë informata që mund të jenë të pasakta ose të gabuara, duhet të kenë kujdes se çfarë burimesh përdorin gjatë prodhimit të përmbajtjeve mediatike, përkatësisht sa janë ato të përshtatshme, relevante, të pavarura dhe të shumëfishta, që rrjedhimisht nënkupton edhe sa janë të besueshme.
Kjo do të thotë se burimet e informimit duhet të jenë referente, pra duhet të jenë autoritete zyrtare për çështjen që trajtohet ose në anën tjetër posedojnë profesionalizmin, përgjegjësinë dhe kompetencën e duhur për të dhënë qëndrim mbi çështjet e ndryshme.
Zhvillimi i hovshëm i teknologjisë ndikoi që të krijohen disa rrjete sociale, të cilat shërbejnë si platforma për interaktivitet mes njerëzve, por shpesh publikimet e shfaqura në to krijojnë përmbajtje mediatike që mund të bazohen tek burime të pabesueshme dhe fakte të paverifikuara. Prandaj, para se të bëhet publikimi i përmbajtjeve nga rrjetet sociale, nevojitet të bëhet verifikim.
Burimet e informimit duhet të identifikohen qartë, meqë në shembujt mediatik që apostrofuam, raportimet u bazuan tek rrjeti social Tik tok, pa u identifikuar burimi në mënyrë objektive. Publiku ka të drejtë të marrë sa më shumë informata që të jetë e mundur për të vlerësuar besueshmërinë dhe motivin e burimeve për të kumtuar një informatë.
Si përfundim, mediat përveç se duhet të jenë të paanshme dhe të mos ndikohen nga faktorë të jashtëm, duhet të jenë edhe të ndershme gjatë raportimit. Ato janë të detyruara që të angazhohen për arritjen e standardeve më të larta për saktësi dhe vërtetësi, si dhe të shmangin manipulimin e vetëdijshëm të publikut.
Besueshmëria ndaj mediave shumë vështirë ndërtohet dhe shumë shpejt rrënohet!
/FolDrejt/