Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin tha të shtunën se do të shkojë në Azi për të konsodoliduar bashkëpunimin me aleatët e Shteteve të Bashkuara dhe forcuar “masat frenuese” ndaj Kinës. Zoti Austin niset nga Havai, ku ndodhet komanda ushtarake amerikane për rajonin e Indi-Paqësorit, për vizitat e tij të para si kreu i Pentagonit.
“Bëhet fjalë për aleancat dhe partneritetet”, u tha ai gazetarëve që e shoqërojnë gjatë udhëtimit, ku do të zhvillojë takime me aleatët kyçë në Tokio, New Delhi dhe Seul.
“Ka të bëjë edhe me rritjen e kapaciteteve”, shtoi ai, duke thënë se ndërsa Shtetet e Bashkuara ishin të përqendruara tek përpjekjet anti-xhihadiste në Lindjen e Mesme, Kina po modernizonte me një ritëm të shpejtë ushtrinë.