Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken sulmoi Kinën të dielën për përgjigjen e saj të ngadaltë ndaj kërcënimit të koronavirusit më shumë se një vit më parë, duke thënë se rezultoi në “gjendje shumë më të rëndë” në të gjithë botën sesanga sa mund të kishte qenë.
“Unë mendoj se Kina e di që në fazat e hershme të COVID-it, ajo nuk bëri atë që duhej të bënte, e cila do të ishte që në kohë reale t’u jepte qasje ekspertëve ndërkombëtarë, në kohë reale të shkëmbente informacion, në kohe reale të ishte me të vërtetë transparente “, tha Antony Blinken në emisionin”Meet the Press” të televizionit NBC.
Kina nuk komentoi menjëherë për komentet e zotit Blinken.
Ish-Presidenti amerikan Donald Trump kishte qenë gjithashtu kritik ndaj reagimit të Kinës, duke përdorur shpesh terma si “gripi kinez” ose “gripi Kung” për të përshkruar infeksionin.
Zoti Blinken tha se numri i të vdekurve në të gjithë botën, i cili aktualisht është mbi 2.9 milion njerëz, “tregon se çfarë duhet të bëjnë tani Kina dhe vendet e tjera. Ndërsa përballemi me COVID-19, duhet gjithashtu të vendosim një sistem më të fortë global shëndetësor për t’u siguruar që kjo nuk do të ndodhë më, ose nëse do të ndodhë përsëri, të jemi në gjendje ta zbusim atë, t’i dalim përpara “.
Ai tha se bota duhet të ndërmarrë “një angazhim të vërtetë për transparencë, për shkëmbimin e informacionit, për qasje të ekspertëve. Kjo do të thotë forcim i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe reformim i saj në mënyrë që të mund ta bëjë një gjë të tillë. Dhe Kina duhet të luajë rol në këtë drejtim”.