Sekretari i jashtëm britanik, Dominic Raab, tha se është “i bindur” se kryeministri Boris Johnson do të shërohet nga koronavirusi.
Duke folur në një konferencë për media, Raab e përshkroi Johnsonin si “luftëtar” dhe tha se ai është duke marrë frymë pa ndihmë.
“Të gjitha mendimet dhe lutjet tona janë me kryeministrin në këtë kohë dhe me gjithë familjen e tij”, tha Raab, i cili është duke e zëvendësuar Johnsonin.
“Jam i bindur se ai do t’ia dalë, sepse një gjë që di për kryeministrin është se ai është luftëtar. Dhe, ai do të kthehet në krye, për të na udhëhequr gjatë kësaj krize”, tha Raab.
Ai po ashtu tha se Johnson po merr trajtim standard me oksigjen.
Johnson është diagnostikuar me koronavirus më 27 mars.
Pasi ka kaluar më shumë se një javë në vetizolim në shtëpi, ai është shtruar në spital më 5 prill, për shkak të simptomave të vazhdueshme të sëmundjes, ndërsa të hënën mbrëma është transferuar në kujdes intensiv.
Mbretëresha britanike, Elizabeth II, i ka dërguar mesazh familjes dhe partneres së tij, duke thënë se ata janë në mendimet e saj.