Sekretari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Ymer Ymeri, ka thënë se greva në arsim po vazhdon dhe të gjithë punëtorët e arsimit po e përfillin atë.
Ai për Klankosova.tv tha se nga ana e qeverisë ka filluar një lloj presioni, ku sipas tij, kjo po bëhet me anë të inspektorëve.
“Tash ka filluar një lloj presioni ku kemi informata se Inspektorët e Punës kanë dalë në terren dhe po e shohin dokumentacionin se a është greva e rregullt. Po ashtu, kemi informata se në disa komuna kanë dalë në terren edhe Inspektorët e Arsimit”, është shprehur Ymeri për Klankosova.tv.
Tutje, ai tha se një gjë e tillë nuk i frikëson ata dhe do të vazhdojnë grevën deri në realizimin e kërkesave të tyre, që është rritja e pagës për 100 euro.
Kujtojmë se që nga dje një pjesë e madhe e sektorit publik ka hyrë në grevë duke kërkuar rritje të pagës.
Ndërsa, Ministria e Financave përmes një njoftimi ka thënë se do t’iu ndalet paga secilit punëtor që hyn në grevë qoftë edhe për një orë.