Sektori i gastronomisë konsiderohet të jetë më i dëmtuari gjatë kohës së pandemisë Covid-19.
Shumë prej tyre rrezikojnë falimentimin nëse nuk do ta kenë mbështetjen e institucioneve, e që do të rezultonte me humbje të mëdha të vendeve të punës, thonë përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës.
Gastronomia është një ndër sektorët më të prekur në këtë periudhë pandemie në Kosovë. Shqetësimet e pronarëve janë të mëdha për shkak të akumulimit të borxheve, për shkak të qirasë por edhe shpenzimeve të tjera. Arsimi, një nga menaxherët e një lokali në Prishtinë, thotë për Radio Kosovën se humbjet janë të mëdha, ndërsa masat lehtësuese të qeverisë janë të pamjaftueshme.
“Mbyllja e lokaleve ka shkaktuar shumë dëme, për arsye se si lokal me staf shumë të madh, kemi pasur dëme të mëdha dhe nuk ia kemi dalë t’i paguajmë të gjithë punëtorët”.
Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë për Radio Kosovën se sektorët më të rrezikuar mbesin hoteleria dhe tregtia me pakicë dhe sektori i ndërtimit.
“Kur jemi te sektorët, ata që kanë pësuar më së shumti janë hoteleria dhe shërbimet e akomodimit dhe ushqimit, sektori i tregtisë më pakicë dhe sektori i ndërtimit. Mbi këtë bazë, fokusi përkrahës në muajt në vijim, duhet të jetë në këta sektorë. Fillimisht përmes formave të ndryshme që mund të shkojnë në likuiditetin e këtyre kompanive dhe e dyta përmes lehtësirave tatimore”, ka thënë Rukiqi.
Një hulumtim për gastronominë, nga Instituti për Ekonomi të Tregut të Lirë, thuhet se 76.2 për qind e bizneseve në Kosovë do të detyrohen të shkojnë në falimentim.
Besa Zogaj Gashi, duke folur për Radio Kosovën thotë se mbi 76 për qind e biznese nuk shpresojnë se do të kenë mundësi të mbijetojnë nga kriza Covid-19, nëse kushtet ekzistuese vazhdojnë.
“Ky sektor ka kontribuar shumë në bruto produktin vendor. Ndihma shtetërore duhet të vazhdojë edhe në pakon e dytë për bizneset, e sidomos të paguhet qiraja, meqenëse pjesa më e madhe e tyre janë me qira, sidomos në Komunën e Prishtinës ku qiraja është mjaft e madhe. Po ashtu, duhet të bëhet edhe një subvencionim për punëtorët. Një sfidë tjetër do të jetë distanca sociale dhe e dimë që në Prishtinë, por edhe në vendet e tjera, lokalet nuk kanë hapësira shumë të mëdha, kështu që është mirë që të merren shembuj nga vendet e tjera dhe të jepen në shfrytëzim hapësira publike, ka thënë Gashi.
Zogaj- Gashi thotë se pas dy javësh pritet të dalin me një hulumtim të ri, për të parë ndikimin që ka pasur lehtësimi i masave në fazën e dytë. Në Kosovë, në sektorin e gastronomisë llogaritet të jenë rreth 14 mijë të punësuar.