Policia sot gjatë ditës në rajonin e Gjilanit, pas hetimeve dy javore nën autorizimin e prokurorisë kompetente ka realizuar një operacion policor të koduar me emrin “ VERA 22”.
Ky operacion ka rezultuar me arrestimin e dy personave të dyshuar, mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në veprën penale “Blerja, posedimi dhe shitja e paautorizuar e substancave narkotike dhe psikotropike dhe analoge” dhe “Rrezikimi i trafikut publik”, njofton Klankosova.tv.
Në kumtesën e policisë thuhse se gjatë këtij operacioni policor njësitet policore kanë ndaluar dy vetura të cilat lëviznin nga Prishtina në drejtim të Gjilanit, ku njëra nga veturat e dyshuar ka tentuar t’ju shmanget njësitit policor duke mos zbatuar urdhrat e dhënë për ndalim, ku gjatë tentimit për të ikur ka goditur veturën zyrtare të PK-së, të cilës edhe i ka shkaktuar dëme materiale.
“Zyrtaret policorë ia kanë pamundësuar ikjen dhe kanë arritur ta ndalojnë ku gjatë kontrollit në të njëjtën veturë kanë hasur në substanca narkotike me peshe prej 15 kg 300 gr marihuanë. Si vazhdimësi e operacionit janë kontrolluar shtëpitë dhe objektet e personave të dyshuar, ku gjatë kontrollit janë sekuestruar gjithsej dëshmi materiale si në vijim; 18 kilograme e 246.9 grame substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, 2 vetura me targa vendore, 355 euro dhe 2 telefona”.
Me vendim të prokurorit kompetent personave të dyshuar u është caktuar masa e ndalimit.