Policia e Kosovës, duke zbatuar një urdhëresë të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren, ka realizuar disa kontrolle në shtëpitë e disa personave, përcjell Fol Drejt.
Në vazhdën e realizimit të këtij operacioni policor, hetuesit kompetentë të antidrogës gjatë punës në teren kanë arritur që të dyshuarin me iniciale (A.E.) ta ndalojnë përderisa ishte duke lëvizur me automjetin e tij në rrugën “William Voker” në Prizren dhe tek ai gjatë kontrollit janë gjetur dy qese najloni të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë 2,55 gram.
Të njëjtit i është sekuestruar edhe një automjet.
Operacioni i bastisjes dhe kontrollit ka vazhduar në tri lokacione dhe si dëshmi materiale janë sekuestruar të holla (1140 euro dhe 40 franga zvicerane), një DVR @LHUA, një shtëpizë e kompjuterit ngjyrë e zezë llojit DELL, 45 qese najloni të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë 23,04 gram, 3 qese najloni të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë 52,34 gram, një peshore digjitale, një qese najloni e mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit Kokainë me peshë1,76 gram, dy telefona mobil dhe një automjet Citroen ngjyrë e bardhë me targa vendore.
Pesha e përgjithshme e substancës narkotike e dyshuar për Kokainë është 79.69 gram e që vlera e tregut sipas raportimeve arrin rreth (7000) euro.
Pasi janë ndërmarrë këto veprime policore me vendim të prokurorit kujdestar dy persona të dyshuar janë ndaluar për 48 orë, përderisa hetimet janë duke vazhduar nga antidroga në Prizren.