Ish-yllit të Danimarkës dhe Arsenalit, Nicklas Bendtner, iu sekuestruan Porsche prej 320,000 eurosh, pasi humbi një apel kundër dënimeve të tij të mëparshme, transmeton Klix, përcjell Fol Drejt.
Ish-sulmuesi është dënuar edhe me 5 mijë e 400 euro gjobë për tejkalim shpejtësie dhe drejtim mjeti pa patentë të vlefshme.
Bendtner, 35 vjeç, apeloi pasi Gjykata e qytetit të Kopenhagës sekuestroi Porsche Taycan Turbo S të tij në tetor 2021. Por Gjykata e Lartë e Danimarkës la në fuqi vendimin, duke e detyruar sulmuesin tashmë në pension t’i thotë lamtumirë makinës së tij luksoze.
Avokatja e Bendtner, Anja Velbaek Mouridsen tha:
“Është e paimagjinueshme të konfiskohet një makinë me vlerë 2.4 milionë korona (320,000 euro) duke pasur parasysh natyrën e veprës penale”.
Sulmuesi i lindur në Kopenhagë pretendoi gjatë gjyqit të vitit 2021 se patenta e tij e vlefshme britanike i jep të drejtën për të vozitur në Danimarkë, gjë që e bënte rregullisht dhe për të cilën u ndëshkua.
Megjithatë, prokurorët argumentuan se Bendtner duhej të kishte një licencë daneze pasi ajo u revokua në 2013.
Mesa duket Bendtner ka marrë ndërkohë një patentë shoferi të vlefshme pasi është paraqitur në gjyq me një Volvo “të vogël”.
Përveç Arsenalit, danezi gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe për Birmingham City, Sunderland, Nottingham Forest, Juventus, Wolfsburg, Rosenborg dhe Kopenhagen. /FolDrejt/