Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, e ka quajtur skandal përzgjedhjen e Lubomir Frçkovskit nga ana e Qeverisë për ambasador në SHBA. Lideri i opozitës shqiptare, tha se Frçkovski ka qenë prijësi i politikave anti-shqiptarë gjatë viteve të nëntëdhjeta, në kohën kur shqiptarët vriteshin për të drejtat elementare, ndaj nuk mund ta përfaqësojë RMV-në në SHBA.
“Fatkeqësisht për personin në fjalë (Lubomir Fërçovskin) nuk duhet të jepen komente. Realisht nuk janë vetëm fjalët e tij kundër shqiptarëve por edhe veprat. Ka qenë Ministër i Punëve të Brendshme kur shqiptarët vriteshin për flamur. Faktor politik në të gjithë zhvillimet që ndodhën vitet e ’90-ta, kur shqiptarët vriteshin për të drejtat e tyre dhe për tu shkolluar në gjuhën amtare, për universitetin, si dhe shumë e shumë procese tjera të montuara që kishin për qëllim ta zhvendosin vëmendjen nga zhvillimet politike që ndodhin brenda kampit politik maqedonas. Psh. për ta kaluar në plan të dytë aferën “TAT” bëheshin ngjarjet në Bit Pazar, Ladorishtë dhe gjëra të tilla.