Ministri i Punëve të Jashtme në Serbi, Nikolla Selakoviq, ka thënë se serbët që jetojnë në Kosovë janë të kërcënuar nga institucionet kosovare.
Në mbledhjen e Këshillit të Kombeve të Bashkuara (OKB), ai ka thënë se Prishtina është duke shkaktuar incidente mbi baza etnike ndaj serbëve.
“Serbët frikësohen në mënyra të ndryshme, inkurajohen që të braktisin shtëpitë e tyre, ndërsa personat e zhvendosur dekurajohen që të kthehen në vendin ku kanë lindur. Një praktikë e tillë nuk është në përputhje me vlerat dhe parimet që publikisht proklamohen nga Prishtina”, ka thënë Selakoviq.
Selakoviq ka shtuar se Serbia do të flasë vazhdimisht për problemet që, sipas tij, i kanë serbët në Kosovë.
“Serbia është e përkushtuar të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe të respektojë zbatimin e rezolutës 1244. Është e rëndësishme që misionet ndërkombëtare të vazhdojnë të veprojnë me një kapacitet të pakufizuar”, ka thënë Selakoviq.