Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit amerikan, Bob Menendez, tha se në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, jo të gjitha palët po dialogojnë në mirëbesim.
Gjatë një seance të këtij komiteti, ku do të raportojnë këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, Menendez tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, publikisht është deklaruar se nuk do ta respektojë Marrëveshjen e Ohrit, duke thënë se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Senatori amerikan tha se ndaj Beogradit nuk po ushtrohet presion, duke shtuar se Vuçiq po vazhdon të përqafojë narrativë nacionaliste, sikurse ideja për “Serbinë e Madhe” , ashtu siç presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, shtyn përpara idenë për “Rusinë e Madhe”.
“Nuk ka garanci që Asociacioni nuk do të bëhet një Republika Sërpska, sikurse në Bosnjë e Hercegovinë”, paralajmëroi Menendez në nisje të kësaj seance të komitetit.
Chollet, gjatë fjalës hyrëse tha se rajoni i Ballkanit Perëndimor është prioritet për administratën e presidentit amerikan, Joe Biden.
Duke folur për raportet mes Kosovës dhe Serbisë, ai tha se ato paraqesin sfidën kryesore në këtë rajon. Chollet përsëriti se rruga evropiane e të dyja shteteve nuk mund të ndodhë, nëse ato nuk i zgjidhin mosmarrëveshjet ndërmjet vete.
Marrëveshja e Ohrit, sipas Chollet, do të sjellë përfitime për të dyja shtetet, duke shtuar se SHBA-ja vazhdon t’i inkurajojë palët që t’i zbatojnë zotimet e tyre.
Chollet: Nuk po shohim zbatim të madh të Marrëveshjes së Ohrit
Menendez ngriti pikëpyetje lidhur me vlefshmërinë e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, duke pasur parasysh faktin që liderët e Kosovës dhe Serbisë nuk e kanë nënshkruar atë.
“Nuk po shohim zbatim të madh të kësaj marrëveshjeje nga asnjëra palë”, u përgjigj Chollet.
Ai shtoi se për SHBA-në, pavarësisht se marrëveshja nuk është e nënshkruar, ajo është ligjërisht e obligueshme.
Një ditë para paraqitjes së tij në Komitetin për Punë të Jashtme të Senatit amerikan, Chollet zhvilloi biseda të ndara telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Me të dy zyrtarët, Chollet bisedoi për dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian ndërsa porositi palët që të vazhdohet puna e rëndësishme për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve dhe duke kërkuar nga palët që t’i shmangin provokimet.
Escobar: Nuk duam një Republika Sërpska të re
Escobar tha se SHBA-ja nuk dëshiron që Asociacioni të jetë një lloj Republike Sërpska.
Ai tha se SHBA-ja dëshiron që Kosova të marrë për bazë ndonjë model evropian “që nuk shkel sovranitetin, funksionalitetin apo strukturën kushtetuese” të shtetit.
“Ne duam të shohim që Asociacioni të vendoset nën strukturën kosovare, që ata ta kontrollojnë atë”, deklaroi Escobar. Ai tha se BE-ja veçse ka ofruar disa modele të tilla, që nuk e shkelin kushtetutshmërinë e shteteve.
Bashkimi Evropian ndërmjetëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë që nga viti 2011. Ky proces, që gëzon mbështetjen e SHBA-së, synon të çojë palët drejt normalizimit të plotë të raporteve.
Më 27 shkurt, Kosova dhe Serbia në Bruksel arritën Marrëveshjen Bazë drejt normalizimit të raporteve dhe më 18 mars, në Ohër u pajtuan për Aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.
Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, por kërkon nga palët që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.
Po ashtu, Marrëveshja e Ohrit kërkon që palët të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Asociacioni është prioritet, teksa Escobar ka deklaruar se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit duhet të nisë me Asociacionin.
Në takimin e fundit të dialogut të nivelit të lartë, që u mbajt më 2 maj, Ekipi Menaxhues për formimin e Asociacionit, ka paraqitur para palëve draftin e parë të statutit për themelimin e Asociacionit.
Ky draft është refuzuar nga pala kosovare.
Qeveria e Kosovës ka shkarkuar Ekipin Menaxhues që ka hartuar statutin për Asociacionin, me arsyetimin se ky ekip ka përfunduar mandatin me prezantimin e draftit. Por, ky veprim i ekzekutivit kosovar në BE është konsideruar se është në kundërshtim me marrëveshjen e dialogut. Blloku evropian ka shprehur qëndrimin se ky ekip – i përbërë nga katër anëtarë serbë – duhet të jetë funksional deri në miratimin e statutit të Asociacionit.
Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin, më 2013 dhe 2015. Por, Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit, sipas Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nuk është në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit.
Megjithatë, Kushtetuesja ka thënë se ajo mund të harmonizohet me akte ligjore./REL/