Ron Wyden, senatori amerikan dhe kryetari i Komitetit të Financave të Senatit, i bëri thirrje sot administratës së presidentit Joe Biden të kryejë një hetim mbi një raport të Reutersit, i cili thotë se autoritetet ruse janë duke përdorur një sistem elektronik të mbikëqyrjes dhe njohjes së fytyrës që supozohet se ka integruar teknologjinë amerikane.
“Teknologjia amerikane nuk duhet të jetë një mburojë e makinerisë autoritare të mbikëqyrjes ruse. Administrata amerikane duhet të hetojë tërësisht pretendimet se regjimi rus po përdor çipa amerikanë në sistemin e tij elektronik të njohjes së fytyrës dhe të bëjë gjithçka që është e nevojshme për t’i mohuar Putinit dhe miqve të tij aksesin në teknologjinë amerikane”, tha Wyden për Reuters.
Agjencia Reuters kujton se njoftoi muajin e kaluar se sistemi i njohjes së fytyrës në Moskë mundësohet nga algoritme të dizajnuara nga një kompani bjelloruse dhe tre ruse duke përdorur çipa të prodhuar në SHBA nga Nvidia Corp ose Intel Corp, transmeton Fol Drejt.