Serbët e veriut nuk po i shqiten planit për të inskenuar një katastrofë humanitare në këtë pjesë të vendit, duke pretenduar se nga fillimi i muajit korrik, do të mbyllen furrat, dyqanet, barnatoret, kioskat dhe të gjitha tregjet për konsumatorë.
Këtë pretendim e bëri me dije Kryetari i Shoqatës së Biznesmenëve në veri të Kosovës, Radosh Petroviq për gazetën serbe “Politika”.
Mediat e Beogradit tash e sa ditë po mundohen të vënë theksin në “bojkotim të mallrave të veri”, një situatë që vërtetë do të shkaktonte një katastrofë humanitare po që se zbatohet.
Me plan parashikohet që të boshatisen të gjitha dyqanet, tregjet dhe barnatoret nga artikujt elementarë ushqimorë dhe nga të gjitha llojet e barnave. Mësohet gjithashtu se për të hënën është planifikuar të organizohet konferencë me medie në veri të Mitrovicës, ndërsa janë ftuar edhe ato të Beogradi, ku njerëz të caktuar do ta pasqyrojnë “gjendjen e rëndë, katastrofën humanitare në pjesën veriore të Kosovës”.
Skenari për të inskenuar një “katastrofë humanitare” në veri të Kosovës po bëhet për shkak se Kosova nuk po heq dorë nga zbatimi i taksës 100% ndaj produkteve që importohen nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina.
Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që serbët e veriut pranojnë të viktimizohen me urdhër të politikave që vijnë matanë kufirit.
Vet kryeministri i vendit Ramush Haradinaj ka thënë se nuk do të lejojë që ky synim i serbëve të bëhet realitet, por ka pohuar se tërheqja e mallrave rrezikon seriozisht një gjë të tillë. /www.foldrejt.com/