Deputetët e Dverit, Zavetnik, Novi DSS dhe POKS kërkuan zgjedhje të reja presidenciale, në një konferencë për media para fillimit të seancës parlamentare, sepse Aleksandër Vuçiq, duke pranuar konceptin e planit gjermano-francez për Kosovën, ndryshoi politikën e tij dhe u zgjodh për mbrojtjen dhe jo për dorëzimin e Kosovës, shkruan Danas.
Vojislav Mihailoviq (POKS) tha se po e kërkonte në emër të gjysmë milioni votuesish që votuan për këto parti në vitin 2022, dhe Boshko Obradoviq (Dveri) saktësoi se bëhet fjalë për 28 deputetë, ndërsa Milica Gjurgjeviq Stamenkovski (Zavetnici) se këto katër parti dhe tre grupe parlamentare do të veprojnë të bashkuara në të ardhmen.
Gjurgjeviq Stamenkovski hodhi poshtë akuzat e mediave të regjimit se ky grup i djathtë po përgatit trazira dhe dhunë në Kuvendin e Serbisë, duke thënë se për këtë do t’i drejtohen gjyqësorit serb dhe se etiketohen si ekstremistë vetëm sepse mbrojnë rendin kushtetues, pasi që sipas Kushtetutës Kosova është në përbërje të Serbisë.
Millosh Jovanoviq (DSS) përsëriti fjalët e Vuçiqit nga 20 janari pas takimit me pesëshen diplomatike të BE-së dhe SHBA-së “jemi gati të pranojmë konceptin dhe të punojmë për zbatimin” e marrëveshjes franko-gjermane, duke vlerësuar se sot jemi duke zgjedhur mes Vuçiqit dhe Serbisë.
Deputetët e djathtë thanë se kishin kërkuar të shohin planin e marrëveshjes franko-gjermane, por që nuk iu është dorëzuar deri më tani. /FolDrejt/