Pesë vjet burgim, i janë dhënë serbit nga Kosova, Svetomir Baçeviq, si dënim për krime lufte kundër popullatës civile në rajonin e Pejës, gjatë vitit 1998.
Siç thuhet në njoftimin e Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, ky vendim është meritor, dhe se gjykimi ka qenë i drejtë meqë janë respektuar të drejtat e palëve në procedurë, përcjell klankosova.tv.
Baçeviq, konkretisht, gjatë periudhës korrik-gusht të vitit 1998, e kishte marrë peng një grua shqiptare në fshatin Bellopojë.
Për më shumë ja detajet tjera:
”Gjykata Themelore në Prishtinë në datën 08 shator të vitit 2022, e ka shpallur aktgjykimin e shkallës së parë me të cilin të pandehurin Svetomir Baçeviq e ka dënuar me pesë (5) vite burgim për krime lufte kundër popullatës civile, konkretisht për marrje peng të një gruaje shqiptare gjatë periudhës korrik- gusht të vitit 1998 në fshatin Bellopojë të Komunës së Pejës.
Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) konsideron se vendimi është meritor dhe se gjykimi ka qenë i drejtë dhe janë respektuar të drejtat e palëve në procedurë.
Aktgjykimi është shpallur pas mbajtjes së gjashtë seancave gjyqësore, ku janë dëgjuar gjashtë \dëshmitarë të propozuar nga prokuroria.
Po ashtu janë mbajtur edhe dy seanca në procedurën paraprake sipas Mundësisë Hetuese të Veçantë ku është marrë deklarata e të dëmtuarës Tigjë Kadrijaj.
Mbrojtja nuk ka propozuar asnjë dëshmitarë që të dëgjohet në këtë gjykim.
E dëmtuara Tigjë Kadrijaj ka deklaruar se personi i cili ka ardhur tek shtëpia e saj nuk e ka rrahur atë,
por sipas fjalëve të burrit të saj, i cili ka ndërruar jetë disa vite pas luftës, ai person ka qenë i familjes
së Baçeviqëve dhe ka qenë fqinji i tyre.
Pra e dëmtuara nuk ka qenë në gjendje që ta identifikoi personin i cili ka hyrë në shtëpinë e tyre dhe i cili nën kërcënim të armës e ka marrë peng nga oborri i shtëpisë të dëmtuarën Tigjë Kadrijaj.
Po ashtu e dëmtuara nuk ka qenë në gjendje që ta identifikojë as personin i cili e ka liruar dhe i cili e ka kthyer në shtëpi të dëmtuarën.
Dëshmitari M.S, fqinji i së dëmtuarës, i nacionalitetit serb, i cili është i vetmi dëshmitar okular i dëgjuar në këtë gjykim ka dëshmuar se i pandehuri Baçeviq ka qenë personi i cili e ka marrë peng të dëmtuarën Tigjë Kadrijaj.
Dëshmitari M.S. pas një përleshje fizike me të pandehurin e ka liruar të dëmtuarën Tigjë Kadriajaj dhe të njëjtë e ka kthyer në shtëpi të saj.
Disa dëshmitarë të tjerë të prokurorisë kanë deklaruar se ata kanë dëgjuar nga tani i ndjeri Rexhep Kadrijaj, bashkëshorti i Tigjës, se personi i cili ka hyrë në shtëpinë e tyre gjatë kohës së luftës dhe i cili i ka maltretuar ka qenë Svetomir Baçeviqi.
Zyra e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovë, në datën 11 nëntor të vitit 2021 e ka ngritur aktakuzën kundër të pandehurit Svetomir Baçeviq për veprën penale krime lufte kundër popullatës civile, konkretisht për marrje peng të dëmtuarën Tigjë Kadrijaj”.