Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë të ditur qëndrimin e Serbisë për pushtimin që Rusia po ia bën Ukrainës. Ai ka thënë se Serbisë i vjen keq për rastin e se i njeh integritetet territoriale të shteteve të tjera.
Në një konferencë për media Vuçiq ka lexuar konkludimet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Sipas tij, në pikë të parë Serbisë i vjen keq për gjithçka që ndodh në Evropën Lindore. “Ne i shohim rusët dhe ukrainasit si popull vëllazëror”, ka thënë ai.
“Serbia është e përkushtuar ndaj parimit territorial. Bazuar në nenin 16 të Kushtetutës së Serbisë, një nga parimet themelore është respektimi i integritetit territorial të shteteve të tjera”, ka shtuar Vuçiqi.
Sipas tij, Serbia gjithmonë ka ndjekur politikë të jashtme “të përgjegjshme e parimore”. Për këtë ka thënë se e ka paguar gjithmonë shtrenjtë.