Federata Serbe e Futbollit është gjobitur nga FIFA me 21 mijë e 300 dollarë për një afishe në dhomat e zhveshjes ku shihej harta e Kosovës me ngjyrat e flamurit serb dhe mbishkrimin “nuk ka dorëzim”.
FFK-ja u ankua zyrtarisht në FIFA, për afishen që ishte e varur mbi dollapët e dy lojtarëve serbë gjatë ndeshjes që Serbia e luajti kundër Brazilit në kuadër të Botërorit Katar 2022.
FIFA, përveç federatës serbe, e ka dënuar edhe atë kroate me 53 mijë dollarë, pasi tifozët e kombëtares kroate abuzuan verbalisht me portierin kanadez, Milan Borjan, i cili ka lidhje familjare serbe, shkruan mediumi TSN, transmeton Klankosova.tv.
Gjatë humbjes 4-1 të Kanadasë më 27 nëntor, një baner i shfaqur nga tifozët e Kroacisë përdori një flamur të prodhuesit të traktorëve John Deere dhe ndryshoi sloganin e marketingut për të synuar Borjanin.
FIFA gjithashtu gjobiti Arabinë Saudite me 30,000 franga zvicerane (32,000 dollarë) për “sjellje të keqe të ekipit” pasi mori gjashtë kartona të verdhë në ndeshjet kundër Argjentinës dhe Meksikës. /Klankosova.tv