Drafti i raporteve për Kosovën dhe Serbinë, është në qendër të diskutimeve sot në Parlamentin Evropian. Për Lukas Mandl, raporti është duke u diskutuar në një kohë kritike.
Eurodeputeti austriak ndër të tjera ua ka kujtuar se për qytetarët e Kosovës, ende nuk janë liberalizuar vizat.
“Që qytetarët e Kosovës ende nuk lejohen të hyjnë pa viza në BE është absurde. Nëse ky dështim i rëndë i BE-së nuk do të ishte aq tragjik, do të ishte vetëm qesharak. Megjithëse kriteret ishin shumë të larta, ato janë përmbushur prej kohësh”.
Frenimi i përparimit të Kosovës drejt BE-së sipas tij, e ka një emërues: Serbinë. Megjithatë një rol negativ po e luajnë edhe disa shtete anëtare të BE-së, transmeton Fol Drejt.
Për më shumë ai ka thënë se Kosova dhe i gjithë Ballkani Perëndimor me kapacitetin që e ka, mund të bëhet “Silicon Valley” e Evropës.
“Me punën e përkushtuar dhe konstruktive të gjashtë shteteve dhe të gjithë Evropës, Kosova dhe i gjithë Ballkani Perëndimor mund të bëhet diçka si Silicon Valley e Evropës. Kjo është një perspektivë e vlefshme për të ardhmen dhe për brezat e rinj. Popullsia më e re në Evropë jeton atje, nuk ka pothuajse asnjë industri tradicionale, por ka shumë vullnet të mirë për të ndërtuar diçka përmes arsimit dhe punës”, u shpreh ai.