Andrej Plenkoviq, kryeministër i Kroacisë, e ka komentuar situatën në veri të Kosovës, ndërsa ishte pjesëmarrës në Forumin “Globsec 2023” në Bratisllavë të Sllovakisë, transmeton Fol Drejt.
Sipas Plenkoviq, Serbia fillimisht duhet të kërkojë falje për agresionin e Millosheviqit ndaj shqiptarëve, ta njoh Kosovën, e më pas të përpiqet që t’i normalizojë raportet.
“Mënyra se si unë e kuptova në disa aspekte qëndrimin e lidershipit të Kosovës në raport me Beogradin, apo me Serbinë në përgjithësi, do ta përmbledh në tri fjalë: kërkim falje për agresionin e Millosheviqit, njohje, dhe pastaj normalizim”, ka thënë Plenkoviq.
Megjithatë, sipas tij, ky proces nuk është i lehtë meqë cilido lider serb që ta ndërmarr këtë iniciativë, do të ndëshkohet nga elektorati serb.
Në situatën në të cilën ndodhet Kosova, çështje emergjente është qetësimi dhe ulja e tensioneve, parakusht për rikthimin te procesi i dialogut./FolDrejt/