Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të ketë vetëm një vit afat që të nënshkruajë një marrëveshje me Kosovën dhe një ditë kohë që t’i vendosë sanksione Rusisë, menjëherë pasi të formohet qeveria e re në krye me Ana Bërnabiqin.
“Vuçiq ka një ditë nga formimi i qeverisë për të vendosur sanksione dhe masa të tjera kufizuese kundër Rusisë dhe Bjellorusisë dhe një vit për të nënshkruar një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme me Prishtinën”, thonë burime diplomatike serbe për të përditshmen ‘Danas’.
Siç shkruan gazeta serbe, nëse Serbia nuk është e gatshme të harmonizojë politikat e jashtme me ato të Bashkimit Evropian, atëherë do të përballet me masa kufizuese të Bashkimit Evropian, transmeton Klankosova.tv.
“Nëse Bashkimi Evropian vendos për sanksione, hapi i parë do të jetë ndalimi i fluksit të parave në Serbi, pastaj anulimi i Shengenit, ndalimi i negociatave për anëtarësim në BE dhe më pas vinë sanksionet”.
Nga ana tjetër, Vuçiq do t’i mbajë shpresat tek mbështetja e udhëheqësit autoritar në Hungari, Viktor Orban dhe tek Komisioneri i BE-së, Oliver Varhelyi, nëse BE vendosë të ndërmarrë veprime të tilla.
“Aleksandar Vuçiq shpreson në mbështetjen e Viktor Orbanit për ta bllokuar atë ose përmes Këshillit të BE-së ose përmes Komisionerit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi”.
Megjithatë, mundësitë që BE t’i vë sanksione Serbisë janë të pakta, sipas burimeve të mediumit serb, ajo çka mund të ndodhë është që Parlamenti Evropian të miratojë rezolutë për t’i pezulluar negociatat për anëtarësim të Serbisë në BE, transmeton Klankosova.tv.