Ministri serb i Mbrojtjes Millosh Vuçeviç ka mohuar raportet e mediave se vendi po dërgon armë në Ukrainë, shkruan B92, përcjell Fol Drejt.
“Edhe një herë është publikuar një gënjeshtër se Serbia po i shet armë Ukrainës. Natyrisht, qëllimi i dikujt është të destabilizojë vendin tonë dhe ta tërheqë atë në një konflikt në të cilin ne nuk do të marrim pjesë,” tha Vuçeviç.
Në të njëjtën kohë, ministri vuri në dukje se Serbia, natyrisht, u shet armë palëve të treta “të cilët nuk janë të përfshirë në konflikt dhe nuk kanë lidhje me të”.
“Gjithmonë ekziston mundësia që në mënyrë magjike të gjendet ndonjë armë në territorin e konfliktit, por kjo nuk ka të bëjë absolutisht me Serbinë, është një pyetje për ato vende që nuk respektojnë normat ndërkombëtare, klauzolat kontraktuale dhe praktikat e biznesit. E përsëris, Serbia nuk ka dërguar armë në Ukrainë dhe gjithçka që është publikuar për këtë temë janë spekulime të pavërteta”, tha Vuçeviq.
Siç raportohet, agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar dokumente sekrete të Pentagonit të zbuluara, publikoi lajmin se Serbia kishte rënë dakord të furnizonte me armë Kievin ose tashmë i kishte dërguar ato. /FolDrejt/