Autoritetet serbe, përveç dëmeve të pariparueshme që i kanë bërë kompanisë Trepça, synojnë që këtij gjiganti metalurgjik t’ia veshin edhe një shumë të madhe borxhesh. Këtu pretendohen për borxhe nga kreditorë të ndryshëm gjatë viteve ‘90-ta, periudhë kur Kosova ishte e okupuar nga regjimi i Serbisë.
Sipas Dhomës së Specializuar të Gjykatës Supreme të Kosovës të gjithë pretendentët për borxhet e Trepçës duhet të drejtohen në AKP.
Në një përgjigje për RTK, Agjencia e Privatizimit e Kosovës thotë se ka shpallur dy herë njoftime publike në vitin 2012 dhe në vitin 2013 për shpalljen e afateve ligjore për dorëzimin e kërkesave kreditore kundër Trepçës.
“Janë gjithsej 1275 kërkesa kreditore. Dy nga to janë kërkesa kolektive të punëtorëve të Trepçës. Numri më i madh i kërkesave është nga pretenduesit nga Kosova dhe Serbia. Përveç tyre ka kërkesa edhe nga Greqia, Bullgaria, Mali i Zi, Suedia e Zvicra”, thuhet në përgjigje.
Në anën tjetër, ish-drejtori i Trepçës, Ferat Shala, thotë se Trepça nuk i ka borxh asnjë shteti.
Se Trepça nuk i ka borxh asnjë kompanie, apo kreditori, e thotë edhe profesor Muhamet Mustafa.