Në bazën ushtarake të Batajnicës, ku ushtria serbe i kishte fshehur trupat e 744 shqiptarëve të vrarë në luftë në Kosovë, presidenti i Serbisë, Alekandar Vuçiq, sot po krenohet me fuqinë e vendit të tij.
Aty, ushtria po i demonstron aftësitë e veta, derisa në ekspozimin e teknikës luftarake, vendin kryesor po e zë sistemi raketor kundërajror i distancës mesatare, “FK-3”. Kjo, derisa u prezantuan edhe 25 aeroplanë luftarakë, shkruan Klankosova.tv, transmeton FolDrejt.
Vuçiq, që tha se me kapacitetet aktuale mund të goditen 90 caqe përnjëherë, pranoi se synohet blerja shtesë e avionëve bombardues.
“Për një kohë të gjatë jemi duke negociuar blerjen e 12 avionëve Rafale, dhe më së largu deri në fillimin e vitit të ardhshëm, do të jemi gati të marrim 6 ose 12 sish, ndërsa pres negociata edhe me palën britanike për blerjen e avionëve Tajfun”, tha Vuçiq.
Ai, këmbëngulë se e gjitha kjo armatosje është vetëm për mbrojtjen e vendit.
“Serbia është një shtet neutral, dhe i duhet të gjej zgjidhje se si ta ruaj qiellin e vet”, tha Vuçiq, shkruan Klankosova.tv