Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov deklaroi se politika e SHBA-së dhe NATO-s për të frenuar Rusinë paraqet rrezikun e një konflikti të drejtpërdrejtë midis fuqive bërthamore me pasoja katastrofike.
“Në kontekstin e përpjekjeve të Perëndimit për të frenuar Rusinë, lidhja e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s për një konfrontim të vërtetë ushtarak me ne është një kërcënim serioz. Natyrisht, ky është një konfrontim i drejtpërdrejtë i fuqive bërthamore me pasoja katastrofike”, tha Lavrov gjatë një video-adresimi në Konferencën e Moskës për mospërhapjen e armëve, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Lavrov vazhdoi duke theksuar se Perëndimi po “shtrembëron me keqdashje” paralajmërimet ruse për këtë çështje dhe akuzon Moskën për përdorimin e “retorikës së kërcënimit”.
“Duke shfrytëzuar këtë mundësi, dua të konfirmoj se pala ruse është e përkushtuar në mënyrë të vendosur ndaj logjikës së mirëkuptimit që përfshihet në dokumentet e përbashkëta të pesë fuqive bërthamore”, tha Lavrov.
Lavrov shprehu gjithashtu keqardhjen e tij që dialogu strategjik midis Rusisë dhe SHBA-së ka mbetur në një “gjendje të ngrirë” dhe se mungesa e negociatave për ruajtjen e stabilitetit vetëm se do të grumbullojë problemet ekzistuese.
“Për shkak të mosgatishmërisë së SHBA-së për të ndërmarrë hapa praktikë konstruktivë ndaj Koresë së Veriut, nuk ka përparim në zgjidhjen e situatës rreth Gadishullit Korean”, tha kreu i diplomacisë ruse./FolDrejt/