Pas tetë sezonesh transmetimi në RTK, javë më parë, ka përfunduar kontrata vjetore e televizionit publik me prodhuesit e serialit “Çka ka Shpija”.
Kësaj here, gjasat që marrëveshja me RTK-në të rinovohet edhe me tutje, siç ka ndodhur nga viti 2014 kur ka nisur sitcom-i, duken se janë shumë pak.
I vënë shumë shpesh në fokus për mungesën e elementeve artistike dhe humorin banal, deri në promovim e dhunës ndaj grave dhe në familje në përgjithësi, “Çka ka Shpija” është serial vendor i cili që nga viti 2014, për 8 sezone radhazi u transmetua në televizionin publik, RTK1.
Përkundër përmbajtjes që shpesh herë është etiketuar si degjeneruese, sitcom-i me aktorët Naser Rafuna, Gresa Pallaska, Dardan Gashi, Teuta Krasniqi, etj., në kastin e tij, arriti të mbledhë audiencë masive në transmetimet e tij në “prime time” të RTK-së e miliona klikime tjera në platformën “Youtube”.
8 vite pas, transmetimi i këtij seriali vendor në televizionin publik, që shpesh herë në përmbajtje ka shfaqur edhe elemente të propagandës politike, duket se i ka ardhur fundi.