Trajneri i futbollistëve të Romës, Jose Mourinho u dënua me dy ndeshje ndalim për të drejtuar skuadrën në kampionatin italian dhe me 10 mijë euro për përjashtimin që e mori të martën në humbjen 1-2 si mysafir në Cremonese.
Arbitri kryesor Marco Piccinini e largoi Mourinhon nga pankina e Romës në fillim të pjesës së dytë dhe portugezi u ankua për trajtimin që iu bë nga arbitri i katërt Marco Serra dhe madje njoftoi se do të kërkonte këshilla ligjore për të gjithë situatën.
“Trajneri i Romës reagoi ashpër dhe ishte provokues ndaj vendimeve të arbitrit në pjesën e dytë dhe këtë sjellje e përsëriti edhe në momentin e përjashtimit. Po ashtu, pas përfundimit të lojës, ai është futur në dhomën e zhveshjes së gjyqtarit, gjë që nuk ka të drejtë ta bëjë dhe ka fyer me fjalë të rënda arbitrin të katërt”, thuhet në vendimin për dënimin.
Pas humbjes nga Cremonese, Roma mbeti e pesta në renditje me 44 pikë, tre më pak se Interi i vendit të dytë dhe Milani i tretë dhe një më pak se Lazio i vendit të katërt, skuadrat me të cilat po luftojnë për vendin e dytë deri në të katërtin, vendet që çojnë në Ligën e Kampionëve.
Nga ana tjetër për Cremonese kjo ishte fitorja e parë në kampionat këtë sezon, me të cilën kaluan Sampdorian dhe tani janë në vendin e 19-të në renditje me 12 pikë, tetë më pak se Spezia që është në vendin e 17-të, e cila mban vendin e fundit që siguron qëndrimin në Seria A, transmeton Fol Drejt.