Analisti amerikan dhe eksperti për Ballkan, Daniel Serwer, nuk e konsideron si ndëshkim serioz përjashtimin e Kosovës nga ushtrimi ushtarak “Defender Europe 2023” dhe thotë se NATO do të ketë edhe ushtrime të tjera në të ardhmen, njofton klankosova, transmeton Fol Drejt.
Në një intervistë për Klankosova.tv, Serwer nuk e sheh si zgjidhje që kryetarët e tri komunave me shumicë serbe të ushtrojnë detyrat e tyre jashtë ndërtesave komunale.
Madje, ai e kritikon qasjen e Administratës Biden ndaj Serbisë duke thënë se “ShBA-ja e ka gëlltitur plotësisht këndvështrimin e Beogradit, derisa përpiqet ta largojë atë nga Moska”.
Në fund të intervistës, ai jep një rekomandim rreth asaj se çfarë duhet të ndodhë për të ardhur deri te një zgjidhje që do të ishte e pranueshme për të gjitha palët.
Intervista e plotë:
Klankosova.tv: A i keni përcjellë zhvillimet e fundit në veri të Kosovës dhe a mendoni se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po vepron me të drejtë me këmbënguljen e tij që katër kryetarë të rinj të katër komunave me shumicë serbe të ushtrojnë detyrat e tyre nga ndërtesat komunale?
Serwer: Qeveria e Kosovës ka çdo të drejtë që të vendosë katër kryetarët e komunave në ndërtesat komunale. Pyetja është nëse ka aftësi. Të bësh këtë kërkon pranim nga ndërkombëtarët dhe komuniteti lokal. Ai pranim mungon.
Klankosova.tv: Si e vlerësoni reagimin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken? Pse ishte kaq i ashpër ndaj Qeverisë së Kosovës?
Serwer: ShBA-ja e ka gëlltitur plotësisht këndvështrimin e Beogradit, ndërsa përpiqet që ta largojë Beogradin nga Moska dhe që ta bindë atë të bashkohet me Perëndimin. Kjo strategjia e zbutjes nuk po funksionon, por Departamenti i Shtetit është ende duke u përpjekur.
Klankosova.tv: A mendoni se në këtë rast kryeministri Albin Kurti po vepron kundër interesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës?
Serwer: Ai sigurisht nuk po vepron me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.
Klankosova.tv: Si e komentoni vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të përjashtuar Kosovën nga “Defender Europe 2023” si dhe deklaratën e ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, se ShBA-ja nuk do të tregojë entuziazëm për ta ndihmuar Kosovën me vendet mosnjohëse?
Serwer: Këto janë gjëra të vogla, sado të dëmshme për qytetarët e Kosovës. ShBA-ja nuk ka bërë shumë në vite për të ndihmuar me njohje dhe në të ardhmen do të ketë edhe stërvitje tjera të NATO-s.
Klankosova.tv: Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar nga kryeministri Albin Kurti tërheqjen e menjëhershme të Policisë së Kosovës nga tri ndërtesat komunale në veri duke shtuar që kryetarët e komunave të ushtrojnë funksionet e tyre nga ndërtesat e tjera publike.
Serwer: Nuk e kuptoj pse mendojnë amerikanët që nëse kryebashkiakët shkojnë në të tjera ndërtesa, demonstruesit nuk do t’i ndjekin.
Klankosova.tv: Nëse kryeministri Kurti i pranon këto kërkesa; A do të thotë se Kosova po i dorëzon vullnetarisht këto tri komunat te grupet kriminale serbe, (siç po i quajnë liderët e Kosovës protestuesit)?
Serwer: Nuk di mjaftueshëm se çfarë mund të ndodhë në terren për t’iu përgjigjur kësaj pyetje. Duket se KFOR-i mund dhe duhet ta parandalojë një transferim të tillë. Por komunat tashmë janë kryesisht të kontrolluara nga Beogradi dhe nga shërbimet serbe të sigurisë.
Klankosova.tv: A do të thotë kjo se ne po hapim derën për strukturat paralele brenda veriut të vendit?
Serwer: Strukturat paralele tashmë ekzistojnë. Askush nuk ka nevojë t’u hapë derën. Ato tashmë janë në veri.
Klankosova.tv: A keni ndonjë rekomandim për Qeverinë e Kosovës se si duhet vepruar në këtë rast për të dalë nga kjo situatë me sa më pak pasoja që të jetë e mundur?
Serwer: Mendova se sugjerimi i kryeministrit Albin Kurti për zgjedhje të parakohshme komunale ishte i mirë, por do të duhej të vinte me dy kushte: garë e lirë dhe e drejtë elektorale (do të thotë, dhënien fund të favorizimit të Listës Sërpska nga Beogradi; dhe një përkushtim nga Beogradi për t’i inkurajuar serbët të votojnë).