Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden kohët e fundit bëri publik një plan investimesh prej 2 trilionë dollarësh që ka si synim modernizimin e rrugëve, urave të vendit, dhe elementëve të tjerë të infrastrukturës së vendit. Plani, megjithatë, pritet të përballet me pengesa në Kongres.
Plani i Presidentit Biden për infrastrukturën ka një përkufizim të gjërë mbi atë që llogaritet si infrastrukturë. Ai nuk përfshinë vetëm riparimin e rrugëve dhe urave, por edhe zgjerimin e internetit kabllor dhe përmirësimin e teknologjisë për të zbutur ndryshimet klimatike.
“Ky është një moment që mund të ndodhë një herë në jetë. Nuk mendoj se në 50 vitet e ardhshme, ne do të shohim një rast tjetër kur të kemi këtë kombinim të një nevoje të demonstruar, interesit dypartiak, padurimit të përhapur dhe një presidenti shumë mbështetës i cili është i përkushtuar, jo vetëm për përmirësimin e infrastrukturës, por edhe për vendet e punës që ky projekt do të krijojë”, tha Sekretari i Transportit, Pete Buttigieg.
Plani i Presidentit Biden përfshin krijimin e një fuqie punëtore për energjinë e pastër dhe shndërrimin e kujdesit për të moshuarit në një profesion më vete.
Udhëheqësit republikanë thonë se propozimi është shumë i gjerë. Paketa parashikon ndërtimin e një rrjeti prej 500,000 stacionesh të karikimit të makinave elektrike deri në vitin 2030.
“Kur njerëzit mendojnë për infrastrukturën, ata mendojnë për rrugët, urat, portet dhe aeroportet. Këto përbëjnë një pjesë shumë të vogël të asaj që ata po e quajnë projekt të infrastrukturës”, tha senatori republikan Roy Blunt.