Në rast të arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, ashtu edhe siç po paralajmërohet, koalicioni aktual e ka të vështirë ratifikimin e saj në Kuvend. Kjo për shkak se ky koalicion nuk i ka 80 vota, siç kërkohet për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Pozita shpreson se deputetë të Vetëvendosjes ose LDK-së do ta mbështesin këtë marrëveshje, por kjo e fundit, mohon se do ta votojnë një marrëveshje të arritur nga koalicioni aktual.
Në rast të arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, ashtu edhe siç po paralajmërohet, koalicioni aktual e ka të vështirë ratifikimin e saj në Kuvend. Kjo për shkak se ky koalicion nuk i ka 80 vota, siç kërkohet për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Pozita shpreson se deputetë të Vetëvendosjes ose LDK-së do ta mbështesin këtë marrëveshje, por kjo e fundit, mohon se do ta votojnë një marrëveshje të arritur nga koalicioni aktual.Arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, mund ta thellojë edhe më tej krizën politike në vend, nëse nuk arrihet një konsensus i përgjithshëm politik. Por, deputetë të koalicionit qeverisës, thonë se një marrëveshje të tillë, do të duhej ta mbështeste edhe LDK dhe Vetëvendosje. Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, thotë për Radio Kosovën se nëse arrihet një marrëveshje e favorshme për vendin, atëherë atë duhet ta votojnë edhe dy partitë e tjera opozitare.
“Nëse Ekipi Shtetëror për bisedime me Serbinë, që është votuar në Kuvend, e arrin një marrëveshje të favorshme për Kosovën, besoj që edhe partitë opozitare që nuk janë pjesë e këtij ekipi do ta votojnë këtë marrëveshje. Pra, do të ketë vota të mjaftueshme për ta votuar marrëveshjen.”
Por, Lidhja Demokratike e Kosovës, ekipin negociator e quan si një grup hibrid ad-hoc, që nuk ka legjitimitet kushtetues. Zëdhënësi i kësaj partie, Besian Mustafa, thekson për Radio Kosovën se LDK mbetet e përkushtuar për një dialog me Serbinë që rezulton në njohje reciproke të dy shteteve sovrane, Kosovës dhe Serbisë, të garantuar nga SHBA dhe BE.
“LDK gjithnjë insiston në konsultimin dhe koordinimin me Amerikën për të gjitha çështjet e rëndësishme. Dialogun Kosovë-Serbi duhet ta udhëheqë Qeveria, konform Kushtetutës së Republikës së Kosovës, një qeveri me të paktën 80 vota në Kuvend, pra, me legjitimitet të plotë nga vota e qytetarëve të Kosovës, të cilëve duhet t’u raportohet qartë se mbi çka po dialogohet me Serbinë”.
Në anën tjetër, Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radio Kosovën se kërkesat që opozita në tërësi t`i bashkohet ekipit negociator, tregon që koalicioni aktual nuk i ka votat e mjaftueshme për ta ratifikuar një marrëveshje të tillë.
“Koalicioni dhe presidenti Hashim Thaçi e dinë se një marrëveshje e tillë nuk mund të ratifikohet në Kuvend pa përkrahjen e së paku një pjese të njërës nga partitë politike në opozitë. Mirëpo, shfrytëzimi i partive politike vetëm me qëllim të ratifikimit të një marrëveshjeje, nuk i kontribuon procesit të dialogut”.
Cakolli gjithashtu thekson se si mundësi tjetër për ratifikimin e një marrëveshjeje të mundshme, është përmendur edhe pyetja e presidentit Hashim Thaçi parashtruar Gjykatës Kushtetuese. Ai kishte kërkuar interpretim se a mundet që marrëveshjet ndërkombëtare të cilësohen të ratifikuara vetëm me nënshkrimin e presidentit, pa u ratifikuar në Kuvend.
“Një tendencë e tillë është mjaft e rrezikshme, për shkak se paraqet një bazë për kapërcimin e institucionit kryesor në vend, duke qenë se edhe sipas Kushtetutës së Kosovës, Parlamenti paraqet autoritetin suprem të vendimmarrjes në tërë Republikën e Kosovës. Çfarëdo vendimi që mund të shkelte këtë parim, do të rrezikonte në tërësi procesin, duke e kthyer atë në një proces të udhëhequr nga individë të caktuar, të cilët nuk kanë burim legjitimiteti nga ana e Kuvendit”.
Aktualisht, sipas Listës së Grupeve Parlamentare në uebfaqen e Kuvendit, koalicioni qeverisës i ka 63 deputetë, së bashku me Listën Serbe, e cila ende nuk e ka bërë të qartë pozicionin e saj se a është pjesë e këtij koalicioni apo jo. Ndërkohë, duke përfshirë edhe Partinë Socialdemokrate, që është në opozitë, por kreu i saj tashmë bashkëkryeson Ekipin Shtetëror në negociata me Serbinë, atëherë numri i deputetë që mbështesin një marrëveshje të mundshme është 75. Mirëpo, për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare duhen të paktën 80 vota, gjë që koalicioni aktual, nuk mund t`i ketë as me PSD-në.