Ish-Ministri i Treegtisë, Endrit Shala, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për anulimin e vendimit për themelimin e Zonës Ekonomike në Malishevë. Këtë vendim, ai e ka quajtur hakmarrje politike, raporton Express.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Shala ka thënë se kjo qeveri nuk ka as plan dhe as as vizion për të ardhmen e vendit
“Mbrëmë vonë qeveria e Kosovës, kjo qeveri e errësirës, e cila nuk ka as plan dhe as vizion për të ardhmen e vendit, në vend se të mendoj dhe të marrë masa që ta përkrah sektorin privat pas përhapjes së pandemisë së virusit COVID 19, kjo qeveri po merret me anulimin e vendimeve që ju dalin në krah pikërisht sektorit privat, zhvillimit ekonomik dhe thithjes së investitorëve të huaj, anulon projektin e ndërtimit të zonës ekonomike në Malishevë”, ka shkruar Shala.
Sipas tij, ky vendim është hakmarrje politike për atë zonë dhe për më tepër është mbyllje e dyerve për investitorët nga diaspora.
“Prandaj, anulimi krejt i pabazuar i vendimeve që janë të orientuara për sektorin privat, për zhvillimin e një zone të Kosovës e cila i ka mbi 100 mijë banorë është dashakeq, është hakmarrje politike për atë zonë dhe për më tepër është mbyllje e dyerve për investitorët nga diaspora dhe investitorë tjerë të huaj”, ka shkruar Shala.