Pas kërkesës së një pjese të madhe të popullsisë së Kosovës për ta ndryshuar udhëzimin administrativ me të cilin kërkohet lejimi i shamisë në shkolla, është krijuar një debat në të cilin përplasen mendimet pro dhe kundër kësaj kërkese.
Ndaj këtij debati ka reaguar edhe Valon Elezi, i cili ka theksuar se kjo kërkesë për ndryshimin administrativ ka nxjerrë në pah dy gjëra, transmeton Fol Drejt.
Sipas Valon Elezit, gjëja e parë ka të bëjë me pranimin e kësaj kërkese nga pjesa dërrmuese e shoqërisë sonë, e cila, krahas si element fetar, e ndërlidhë me një element tradicional dhe para së gjithash sipas Elezit e sheh si të drejtë individuale të çdo gruaje.
Ndërkohë, gjëja e dytë që ka dalë në pah sipas Elezit është tërbimi i çoroditur i mbetjeve ideore komuniste, që e ka shtratin të kamufluar te politika, mediat dhe ndërtimi i opinionit publik.
Elezi tutje thekson se kjo periudhë doemos do t’i ketë sfidat e veta, megjithatë “shamia dhe të tjerat vlera, do ta japin provimin, por mbetjet komuniste nuk do të largohen lehtë nga mendjet e çoroditura.”
Postimi i plotë i Valon Elezit:
Me rrëzimin e Murit të Berlinit, shpërbërjen e Jugosllavisë dhe rrëzimin për tokë të statujës së Enver Hoxhës në Shqipëri, si Evropa, edhe shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë shënuan momentin historik të rrëzimit të regjimeve komuniste. Këto regjime, si në Shqipëri e si në ish-Jugosllavi, kishin rënduar jetën e shqiptarëve, por megjithatë, njerëz që i bindeshin dhe besonin në ideologjinë komuniste kishte përplot. Sot, këto mbetje komuniste janë ende në mesin tonë. Disa ende gjallë në kolltukët e pushteteve e disa, në tunele tjera të ndikimit mediatik e biznesor, përfshirë edhe pjesëmarrjen e tyre në jetën publike si të reformuar në ithtarë të demokracisë. Ani pse pak e besueshme, ashtu thirren ata vetë, por, ashtu siç thirren, shpesh tradhëtohen nga çoroditjet e tyre, e të cilat shpesh shfaqen kur është në pyetje ndonjë vlerë prej vlerave fetare islame.
Në Kosovë këto ditë, dhe në opinion shqiptar edhe jashtë Kosovës, çështja e shamisë, më saktësisht, kërkesa për të ndryshuar urdhëresën administrative për shaminë, shfaq dy gjëra, një, pranimin e saj nga pjesa dërrmuese e shoqërisë sonë, e cila, krahas elementit fetar, e ndërlidhë atë me një element tradicional, prezent ndër shekuj te shqiptarët dhe si e drejtë individuale e çdo gruaje, dhe dy, shfaq egërsisht tërbimin e çoroditur të mbetjeve ideore komuniste, që ende ka shtratin e saj ne arenën publike të kamufluar te politika, mediat dhe ndërtimi i opinionit publik.
Kjo periudhë, domosdo që do t’i ketë sfidat e saja, dhe nuk do të kalojë edhe aq lehtë, sepse për t’u zhbërë një garniturë e tillë mendimesh e idesh destruktive, kërkon së pari kohë dhe e dyta, argumentim të vazhdueshëm për një prezencë vlerash, ndër të cilat edhe për shaminë, si obligim dhe adhurim i rregulluar me dispozitat kuranore për gratë.
Pra, shamia dhe të tjera vlera, do ta japin provimin, por mbetjet komuniste nuk do të largohen lehtë nga mendjet e çoroditura. E ajo që do të mbetet gjithmonë mes shqiptarësh, do të jetë Islami, i kalitur në zemra e në mendje, edhe pse këtë e urrejnë mbetjet e indoktrinuara komuniste./FolDrejt/