Xherdan Shaqiri përjetoi emocione në ndeshjen Kosovë-Zvicër (2-2), që u luajt në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës.
Sulmuesi i njohur shqiptar që garon prej vitesh me kombëtaren zvicerane, ka bërë një dedikim në rrjetet sociale për Fadil Vokrrin.
Një prej futbollistëve shqiptarë më të mirë në histori dhe ish-presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, ndërroi jetë në qershorin e vitit 2018 në moshën 57-vjeçare. Vokrri ëndërronte ta shihte sulmuesin nga Gjilani me fanellën e Kosovës.
Shaqiri ka postuar në faqen e tij një foto përkrah portretit të legjendës, teksa nuk mungon një zemër brenda saj.
Të dy kishin një marrëdhënie shumë të mirë, siç theksoi 31-vjeçari për SuperSport pas ndeshjes në kryeqytetin dardan.
“Ka qenë nder i madh që isha këtu, duke luajtur në stadiumin ‘Fadil Vokrri’. Kam pasur shumë marrëdhënie të mira me ish-presidentin. Kam lindur në Kosovë, e ndiej himnin e Kosovës dhe e kam për nder që luajta në stadiumin që mban emrin e Legjendës.
Kam ëndërruar të luaj këtu. Njerëzit e dinë që kam pasur kontakte me Federatën dhe me Fadilin, kemi pasur kontakte. Ishte Euro 2016 dhe nuk mund të ndërronim më ekipin… ”./FolDrejt/