Goli i shënuar nga Xherdan Shaqiri në ndeshjen që Lyoni fitoi me përmbysje 2-1 kundër Marseille, ishte shumë i veçantë për shkak se gola të tillë të shënuar nga lojtari shqiptarë janë shumë të rrallë, sepse ky i fundit dërgoi topin në rrjetë me kokë, ndërkohë që gjatësia e tij është vetëm 1.69 metra.
Shaqiri ka thënë se e ka befasuar edhe veten me golin që e shënoi me kokë, ku pas ndeshjes lojtari u shpreh i lumtur për golin dhe fitoren e skuadrës.
“Është e jashtëzakonshme ajo çfarë bëri ekipi sonte. Shumë lojtarë munguan, të lënduar. Jam krenar me ekipin. Jam shumë i lumtur me paraqitjen dhe shumë i lumtur me këtë ekip. Është gol i rëndësishëm me kokë. Edhe unë jam i habitur (qesh). Harkimi ishte shumë i mirë nga Malo. Ne punojmë shpesh për këtë në stërvitje. Jam i lumtur me shënimin e këtij goli”, ka theksuar Shaqiri.
Sulmuesi i ka dy gola dhe dy asiste në 11 paraqitje në ligën franceze deri tani këtë sezon /abcnews.al