Pas kushtit për liberalizimin e vizave për Kosovën në mbledhjen e Këshillit Evropian, Demush Shasha, drejtor i Institutit Epik, e ka lidhur këtë kushtëzim me fluksin e madh të emigrantëve prej vendeve të Ballkanit drejt BE-së, që sipas tij është bërë shqetësim për BE-në.
Në një postim në facebook, duke shfrytëzuar të dhënat e FRONTEX, Shasha ka vënë theksin mbi përqindjen e lartë të emigrantëve ilegalë në BE në nëntë muajt e parë të këtij viti, krahasuar me vitin 2021, transmeton Fol Drejt.
“Keni parë se si në kontekst të liberalizimit të vizave për Kosovën BE-ja ka ngrit shqetësim ndaj Kosovës për mos përafrimin e regjimit të vizave me regjimin e BE-së? Keni parë se si për të njëjtën arsye BE-ja po konsideron pezullimin e liberalizimit Serbisë? Eh, pra kjo është arsyeja: Të dhënat e fundit nga Frontex, the European Border and Coast Guard Agency konfirmojnë se numri i hyrjeve ilegale në BE në nëntë muaj të parë të vitit 2022 kanë shënuar rritje prej 70% krahasuar me vitin e kaluar. Ky është rekordi i hyrjeve ilegale në BE-që për nëntë muaj të parë që nga viti 2016; dhe gjysma e këtyre kalimeve ilegale kanë hyrë në BE përmes Ballkanit Perëndimor. Krahasuar me vitin e kaluar kjo është rritje prej 170% të hyrjeve ilegale përmes rajonit tonë. Sirianët dhe Afganët kanë qenë shtetësi kryesore migruese” – ka shkruar Shasha.
“E gjithë kjo nuk ka të bëjë asgjë ekskluzivisht me Kosovën. Ky është problem i gjithë rajonit. Kam thënë edhe në maj të këtij viti: sa shpenzojmë energji të panevojshme në diskutimet të llojit Procesi i Berlinit vs Ballkani i Hapur, para vetës kemi një krizë në rritje e cila kërkon vëmendjen dhe bashkëpunimin e të gjitha vendeve të rajonit” – ka shtuar ai./FolDrejt/