“Këto shkelje sistematike të presidentit Putin dhe Kremlinit nuk do të mbeten pa u ndëshkuar. Kërkojmë llogari ndaj autorëve të këtyre mizorive. SHBA-ja dhe partnerët e saj nuk do të qëndrojnë të heshtur”, tha Blinken
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, është shprehur se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe administrata ruse nuk do të mbeten pa u ndëshkuar lidhur me pretendimet se Rusia ka arrestuar mijëra ukrainas, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Administrata e SHBA-së e ka sjellë çështjen në rendin e ditës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara pasi Drejtoria e Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së ka bërë deklaratë se Rusia ka dërguar me forcë mijëra ukrainas në zonat lindore, qendrore dhe perëndimore të vendit.
“Këto shkelje sistematike të presidentit Putin dhe Kremlinit nuk do të mbeten pa u ndëshkuar. Kërkojmë llogari ndaj autorëve të këtyre mizorive. SHBA-ja dhe partnerët e saj nuk do të qëndrojnë të heshtur. Ukraina dhe qytetarët e saj e meritojnë të drejtën”, ka shkruar në rrjetet sociale Blinken.
Në postimin e tij Blinken paraqiti edhe pamje që shpjegon se Rusia arreston ukrainasit dhe i dërgon në kampe përqendrimi në rajone të ndryshme.
Edhe zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, ka deklaruar se “SHBA-ja i bën thirrje Rusisë që t’i japë fund menjëherë operacioneve të saj të filtrimit sistematik dhe aktiviteteve të saj të dëbimeve të detyruara në rajonet ukrainase nën kontrollin rus. Së bashku me partnerët tanë do të sigurojmë që bota të mësojë këtë të vërtetë”.
Drejtoria e Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së publikoi një hartë dhe pretendoi se Rusia në rajonet që ka marrë nën kontroll po kryen filtrime kundrejt ukrainasve, se një pjesë e personave të kontrolluar dërgohen në rajone të ndryshme të Rusisë dhe se një pjesë arrestohen ose abuzohen.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, lidhur me çështjen është shprehur se “Kemi informacione të inteligjencës se Rusia ka në lindje të Ukrainës dhe në perëndim të Rusisë kampe përqendrimi ku arreston, merr në pyetje dhe ndonjëherë abuzon mijëra ukrainas”./FolDrejt/