Pentagoni njoftoi të premten se do të dërgojë në Ukrainë armë dhe municione shtesë, në vlerë prej 820 milionë dollarësh, shkruan skynews.
Pakoja e 14-të e armëve për forcat ukrainase përfshin dy sisteme të mbrojtjes ajrore, më shumë municione për “Himars”, të cilat SHBA-ja filloi t’i dërgonte në qershor, rreth 150,000 fishekë, si dhe katër radarë shtesë kundër artilerisë. Sistemet e mbrojtjes kundërajrore, të njohura si NASAMS, janë sisteme të raketave tokë-ajër me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi.
“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të punojnë me aleatët dhe partnerët e saj për t’i ofruar Ukrainës kapacitetet për t’i përmbushur kërkesat e saj në fushën e betejës”, tha sekretari për shtypin i Ministrisë së Mbrojtjes së SHBA-së, Todd Breasseale.
Me paketën e re të armëve, e cila mbështetet në furnizimet ushtarake amerikane, vlera e totalit të ndihmës për Ukrainën nga SHBA-ja ka arritur në 6.9 miliardë dollarë, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës./abcnews.al/