Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca kanë hedhur poshtë së bashku pretendimet ruse se Ukraina po përgatitet të përdorë një “bombë të pistë” dhe paralajmëruan Moskën që të mos përdorë çdo pretekst për përshkallëzimin e konfliktit, shkruan The Kyiv Independent, përcjell Fol Drejt.
“Sot herët, ministrat e mbrojtjes të secilit prej vendeve tona folën me ministrin rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu me kërkesën e tij”, thuhet në deklaratën e postuar në faqen e internetit të Departamentit të Shtetit të SHBA0-ve. “Vendet tona e bënë të qartë se ne të gjithë hedhim poshtë akuzat e rreme të Rusisë se Ukraina po përgatitet të përdorë një bombë të pistë në territorin e saj. Bota do të shikonte çdo përpjekje për ta përdorur këtë pretendim si pretekst për përshkallëzimin. Ne hedhim poshtë çdo pretekst për përshkallëzim nga Rusia”.
Ndryshe dje, agjencia shtetërore ruse RIA Novosti raportoi, duke cituar burime, se forcat ukrainase po planifikonin të përdornin një “bombë të pistë” ose një “bombë të vogël bërthamore”. Mykhailo Podolyak, një këshilltar i kreut të Zyrës së Presidentit të Ukrainës, i quajti pretendimet e Shoigut si “absurde”. “Një absurditet absolut dhe mjaft i parashikueshëm i thënë nga ata që ende vazhdojnë të besojnë se është e mundur të gënjehet paturpësisht. Dhe dikush do ta besojë atë”, tha Podolyak për Liga, një media ukrainase e lajmeve. /FolDrejt/